Superiore, Flamurtari ngjitet, Tirana “zhytet”

24/11/2013 21:10

Flamurtari vazhdon ngjitjen në shkallët e renditjes së Kategorisë Superiore.

Skuadra vlonjate, e drejtuar nga Gjoka, shënoi një tjetër fitore, këtë radhë mundi Vllazninë me rezultatin 3-1, e tashmë e sheh veten në kuotën e 17 pikëve.

Flamurtari kaloi në avantazh në minutën e 15, me anë të Zeqirit, që ktheu në gol një 11-metërsh. Vllaznia iu kundërpërgjigj kuqezinjve, në minutat shtesë të kësaj pjese, duke shënuar me anë të Hajdarit.

Në pjesën e dytë, Flamurtari shënoi edhe 2 herë të tjera. Abilaliaj riktheu vlonjatët në avantazh, duke shënuar golin e dytë, ndërkohë që suksesin e vulosi Zeqiri, që shënoi golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal në këtë takim.

Tirana zhytet akoma më shumë në krizë. Skuadra bardheblu arkivoi një tjetër disfatë, këtë radhë ndaj Laçit, në fushën e këtij të fundit, 0-1.

Partizani i bashkangjitet Teutës në vendin e dytë, në klasifikimin e Kategorisë Superiore. Skuadra e Hasan Likës fitoi ndaj Kastriotit, me rezultatin e ngushtë 1-0. Ai që vendosi fatin e takimit për skuadrën kryeqytetase ishte Malo, që shndërroi në gol një 11-metërsh të fituar në minutën e 13.

Top Channel