Kapen edhe 3 nga të arratisurit

24/11/2013 00:00

Forcat RENEA arrestuan tre të burgosurit, që ishin arratisur një natë më parë nga burgu i Drenovës, në një magazinë në Prrenjas, gjatë një aksioni ku nuk ka pasur shkëmbim zjarri.

Të tre të burgosurit; Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri; ishin strehuar gjatë natës në një nga ndërtesat e braktisura të stacionit hekurudhor të Prrenjasit.

Ata ishin vëzhguar më parë nga forcat operacionale dhe u prit rrethimi nga forcat RENEA për të ndërhyrë dhe për të realizuar aksionin policor.

Asnjë rezistencë nuk është bërë nga të kërkuarit, pavarësisht se ishin të armatosur, por njëri prej tyre, Gëzim Toma, mendohet që të jetë larguar nga kjo magazinë, pak më parë se ajo të ishte rrethuar.

Ai i ishte ndarë grupit, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij. Detajet e të gjithë aksionit të policisë i bëri publike ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili foli edhe për arrestimin e tre shtetasve të tjerë, të cilët kishin ndihmuar nga jashtë për arratisjen, dy prej të cileve u arrestuan në Elbasan dhe një në Tiranë.

“Rreth orës 20:00, dy makina të kamufluara me sinjalistikë policie thyen postobllokun e sapongritur nga policia në Pogradec. Policia e Shtetit u vu menjëherë në ndjekje dhe, në hyrje të qarkut të Elbasanit, bëri të mundur kapjen e njërës prej makinave, së bashku me të dy pasagjerët, të cilët janë njëkohësisht dy prej organizatorëve të arratisë dhe mbështetës të jashtëm. Si rezultat i punës së menjëhershme, rreth orës 22:00 u bë e mundur kapja e njërit prej të arratisurve, shtetasit Artur Gora, i cili u kap në aksin Korçë – Devoll, në fshatin Dishnicë. Nga strukturat e Policisë së Qarkut Elbasan u bë i mundur arrestimi i tre prej të arratisurve, të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm; konkretisht Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri. Njëkohësisht, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka arrestuar Altin Lamin, i cili është njëri prej bashkëpunëtorëve të jashtëm në arratisjen e djeshme. Ky person dyshohet se ka vendosur eksplozivin në qytetin e Korçës, në momentin që nisën veprimet e të burgosurve për t’u arratisur”, tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ndërkohë që policia, sipas gjurmëve që ka ndjekur, mendon se tre të kërkuarit e tjerë, që bëjnë pjesë në një tjetër grup, janë drejtuar për nga Erseka. Të dhënat e para tregojnë se janë pikasur në lëvizjet e tyre dhe është çështje orësh edhe rrethimi nga policia. Ministri i Brendshëm u ka bërë atyre një thirrje të drejtpërdrejtë, ndërsa siguroi se ata janë brenda kordonit të sigurisë.

Aktualisht, të gjitha strukturat e Policisë vazhdojnë regjimin e gatishmërisë. Vazhdohet kërkimi për arrestimin edhe të tre të arratisurve të tjerë, të cilët dyshohen se janë brenda perimetrit të sigurisë policore.

“U bëj thirrje të 3 të arratisurve të tjerë, familjarëve dhe miqve të tyre: Dorëzohuni sot, që nesër të mos jetë vonë”, theksoi Saimir Tahiri.

Ministri i Brendshëm tha se arratisja nuk ishte rastësore dhe paralajmëroi një sërë arrestimesh, duke u shprehur se politika është përfshirë në punë të pista të krimit.

“Ju siguroj, që arratisja e djeshme nuk është rastësore. Është e organizuar mirë, por, njëkohësisht, dëshmi tragjike e përfshirjes së politikës në punët e pista të krimit, siç është dëshmi tragjike e kompromentimit kapilar të strukturës shtetërore, për të garantuar zbatimin e ligjit. Për këtë arsye, ne po hetojmë së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme. Hetimet po vazhdojnë dhe, shumë shpejt, do ketë arrestime të tjera, me përgjegjës konkret në të gjitha strukturat ligjzbatuese. Ministria e Brendshme, kryeministri dhe qeveria, janë të angazhuar për të garantuar plotësisht rendin dhe sigurinë publike. Ne jemi këtu, Policia e Shtetit është këtu. Kriminelët janë e do jenë në burg. E bashkë me ta, kushdo që deri dje i ka ndihmuar të kapërcejnë linjën në këmbim të votave”, tha Saimir Tahiri.

Pas këtyre deklaratave të Ministrit të Brendshëm, pritet që kjo ngjarje të mos kalojë pa polemika dhe akuza politike.

Nga burime të konfirmuara, rezulton se 2 nga 4 të arrestuarit e deritanishëm kanë deklaruar, gjatë marrjes në pyetje, se armët janë futur përmes një frigoriferi, që kishte mbërritur në dhomën e Admir Tafilit në datën 16 qershor të këtij viti, një javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Frigoriferi me armë, sipas dëshmive, ishte pjesë e një marrëveshjeje mes të burgosurve, që u arratisen, dhe autoriteteve të asaj kohe, që drejtonin burgun. Të burgosurit, sipas dëshmive, rezulton të kishin premtuar favore politike para dhe gjatë zgjedhjeve, përmes familjarëve jashtë, në zonat ku ata jetonin.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa flitet për një numër të madh të implikuar dhe që do të mbajnë përgjegjësi për këtë ngjarje.

Prokuroria e Përgjithshme ka nxjerrë më shumë se 21 fletë-arreste për këtë ngjarje, ku pjesa më e madhe janë gardianë të burgut, të cilët do të akuzohen për shpërdorim detyre. Ndërkohë që, edhe vet kryeministri Edi Rama, gjatë një postimi në rrjetet sociale, ka theksuar angazhimin e qeverisë së tij për të vijuar me luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Rama shkruan se, më në fund, Shqipëria ka një Polici Shteti në krye të detyrës. Asgjë – thotë Rama – nuk do na ndalë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Të arratisurit transferohen në Burgun e Peqinit
DPBSH shkarkon disa kryekomisarë dhe paralajmëron të tjerë për largim nga puna

Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë njoftuar gjatë mbrëmjes së ditës së diel, se 3 të arratisurit e arrestuar në Prrenjas janë transferuar në burgun e Peqinit, në qarkun e Elbasanit.

Bëhet fjalë për transferimin e Admir Tafilit, Gëzim Tomës dhe Fran Marashit, të cilët u dërguan për në burgun e Peqinit pasi u morën në pyetje prej hetuesve, mbi ngjarjen e bujshme të arratisë së tyre nga burgu i Drenovës.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shkarkuar disa kryekomisarë, të cilët janë kapur me shkelje, sipas njoftimit të DPBSH-së.

Konkretisht, janë shkarkuar kryekomisar Arben Haxho, me detyrën shef i ruajtjes së sigurisë në IEVP-në e Fushë Krujës, si dhe kryekomisarët Besim Rama, Albert Muça dhe Behar Bregu. Veç tyre, DPBSH-ja ka shkarkuar edhe përgjegjësin e informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Bardhyl Llohën.

Gjithashtu, janë paralajmëruar për largim nga detyra edhe disa zyrtarë të tjerë.

Top Channel