Formula 1 ul siparin

24/11/2013 18:50

Sebastian Vettel, me Red Bull, ka triumfuar edhe në Çmimin e Madh të Brazilit, duke arritur fitoren e 13 sezonale dhe duke barazuar rekordin e mbajtur deri më sot nga Michael Schumacher, të vendosur në 2004 me Ferrari-n.

Kjo ishte edhe fitorja e 9 radhazi për të, duke thelluar edhe rekordin,
që theu vetëm 1 garë më parë, atë të zhvilluar në Austin të SHBA-ve.
Edhe pse 26 vjeç, ai radhitet mes legjendave të Formula 1.

Në podium, në garën e Brazilit, janë ngjitur edhe Mark Webber me Red Bull, i dyti, dhe Alonso me Ferrari, i treti. Australiani Webber, në moshën 37-vjeçare, i ka dhënë lamtumirën botës së Formula 1, në fund të kësaj gare dhe të këtij sezoni, duke e festuar në stilin e tij, një gjysmë xhiroje pa kaskën e pilotit, por me një shpejtësi shumë më të kufizuar nga ajo e garës. Më pas janë renditur Button (McLaren) në vendin e 4, Rosberg (Mercedes) i 5-ti dhe Perez (McLaren) i 6-ti.

Felippe Massa e ka mbyllur aventurën e tij në “Maranello” me një vend të 7, pas një penaliteti të diskutueshëm të marrë nga drejtuesit e garës. Një “drive through” që e largoi nga vendi i 4, që mbante para penalizimit, ndërsa një dënim i tillë është dhënë edhe për Hamilton (Mercedes), i cili e mbylli garën në vendin e 9. Megjithatë, renditja e Hamilton dhe Rosberg dhe pikët e marra në këtë garë mjaftuan që Mercedes të shpallet nënkampione për konstruktorë, ndërsa Ferrari të kënaqet me vendin e tretë.

Ka qenë një sezon i ngjeshur, me plot 19 gara, të cilat janë transmetuar për publikun shqiptar nëpërmjet Top Channel dhe Top Channel HD, të gjitha në formatin HD.

Top Channel