Gjergji DURO – Me mikun tim ambientalist M.Sh., ishim takuar qysh në fillimet e para të diskutimit të çështjes së demontimit të armëve kimike dhe ruanim pozicione diametralisht të kundërta. Ai ishte kategorik që armët kimike nuk duhet të vinin në Shqipëri dhe unë që i shpjegoja se kishte vetëm një të keqe dhe nëntëdhjetë e nëntë të mira. Ishim ndarë disi ashpër dhe për kaq kohë nuk ishim takuar më, as për një kafe. Por heshtja nuk vazhdoi gjatë dhe u ritakuam para dy ditësh, kur “vala goditëse” ndaj këtyre armëve është fashitur.
Nuk hezitoi gjatë dhe pasi më bëri me dije që kishte qenë dy ditët e fundit në protestë, m’u drejtua: “Nuk e kuptova tamam Kryeministrin, nuk jemi dakord ne që të pranojmë demontimin e armëve, apo nuk pranuan amerikanët, se nuk kishim kushtet e përshtatshme?”. Duke mos qenë i predispozuar ta vazhdoja këtë diskutim, iu përgjigja: merr ca nga njëra dhe ca nga tjetra dhe përsëri “JO” do të dalë, ashtu siç kërkuat ju në protestë.
Nuk ka libra për t’i mësuar udhëheqjen popullit, ka libra për t’u mësuar udhëheqjen liderëve, më tha miku im i kënduar. Nëse Edi Rama, do ta mbante atë fjalimin e qëndrimit të tij mbi demontimin e këtyre armëve 4-5 ditë përpara, jo unë, po dhe shumë-shumë të tjerë si unë nuk do të ishim në protestë.
Për hir të së vërtetës duhet pranuar se deri ditën e “vendimit” kishte një dizekuilibër midis arsyeve “pse nuk duhen pranuar” dhe “pse mund të pranohen” armët kimike. Askush nuk doli në media dhe të thoshte se kemi 31 vatra më të rrezikshme se ato që do na sillte Amerika “për të keqen tonë” dhe një e 32-të për demontimin e armëve siriane do t’i vinte kapakun apokalipsit kimik të Shqipërisë, a thua se nuk dihej se gjysma e popullsisë ngryset e gdhihet nën çarçafin helmues të këtyre vatrave! Kush i tha Kryeministrit për këto 31 vatrat, SHBA-ja, Rusia apo Siria? Specialistët dhe ambientalistët tanë ia thanë, por gjetën rrugën më të shkurtër: në vend t’i thoshin publikisht në media, ia thanë “në heshtje” Kryeministrit. Shumë prej këtyre specialistëve e dinin se te monoksidi i karbonit (CO) që vrau 5 djem në lulen e rinisë në Dardhas të Mokrës, po u nda karboni nga oksigjeni (në njëfarë mënyre të demontohet), asnjëri prej këtyre elementeve të gazit vrasës, nuk ka të bëjë me rrezikshmërinë e tij. Karboni shndërrohet në qymyr dhe oksigjeni pasuron për së miri atmosferën. Për më tepër dolën ca lloj ekspertësh, që shpjeguan se nga 1000 tonë lëndë kimike, dalin 10 mijë tonë mbetje?! Ligji i ruajtjes së masës ishte helmuar në Siri dhe kish pushuar së vepruari! Skema e demontimit mund të jetë sekrete, por reaksioni kimik i shpërbërjes së tyre është nëpër libra kimie dhe manuale dezinfektimi, mjaftonte që nga libri të dilte në ekranet e televizioneve. Përkundrazi, në ekrane shfaqeshin ca fuçi me LHL të shkatërruara e gjysmë të derdhura, a thua se ai tmerr na priste prej armëve siriane!
U ngritën në protestë banorët e fshatit Mjekës dhe nuk pranonin që armët kimike të demontoheshin në ambientet e uzinës pranë fshatit të tyre. Po kush vajti i mblodhi fshatarët e t’u shpjegonte para së gjithash se demontimi ishte një proces i sigurt edhe pse ishte i sigurt për ta, kush u tha se në rast se ky proces do të bëhej në uzinën e Mjekësit, të gjithë problemet e infrastrukturës, ujit dhe të tjera sociale që ata kanë deri më sot, do të zgjidheshin përfundimisht. Po nëse atyre u thuhej që për mbrojtjen e shëndetit të tyre gjatë periudhës së demontimit do merrnin nga 500 dollarë ushqime plotësuese për familje në muaj, do protestonin për “po” apo për “jo”?
Shkurt muhabeti, nuk dominoi logjika dhe arsyetimi i ftohtë, por entuziazmi i pabazuar ambientalist.
Duke diskutuar rreth këtij “entuziazmi folklorik” të pabazuar, miku im shtroi pyetjen befasuese: “Ç’të keqe ka t’i themi Amerikës: Na fal, ne tani u kthjelluam dhe jemi dakord që armët kimike të vijnë në Shqipëri për demontim!”.
Shprehja, “na jepni dhe një rast” ka vend pikërisht në këtë moment, në të kundërt ai rast mund të mos vijë kurrë. Këtu nuk ka vend as për t’u gjykuar si mendjelehtë, as si servilë. Thjesht, e kuptuam problemin, e kuptuam me vonesë, ca për fajin tuaj, po më shumë për faj të drejtuesve tanë, që nuk paraprinë me një fushatë sensibilizuese dhe sqaruese në popull. Është më mirë të pranosh sot që gabove, se sa të bëhesh pishman nesër që nuk fitove. Mbase Amerika e ka mbyllur kapitullin me ne dhe nuk pranon t’i rikthehet, sepse po negocion gjetiu (sllovakët janë gati), po ne nuk na kushton gjë t’i themi: Sorry America!
Top Channel