Përpjekje pa fund për mohimin e protestës

23/11/2013 00:00

GJERGJ EREBARA – U mbush një javë që nga dita kur protestuesit detyruan
qeverinë të ndryshojë qëndrim në një çështje të rëndësishme, diçka që ka
ndodhur rrallë në këtë vend, megjithatë jehona e protestës së 15
nëntorit vijon. Ka shumë që po besojnë se Kryeministri Rama “nuk e
manipuloi siç duhet” opinionin publik, nuk bëri “marrëdhënie publike” të
përshtatshme, apo që “turma u infektua nga gënjeshtrat”, e të tjera si
këto.

Po thonë se protestuesit qenë “të painformuar” ose të “dizinformuar”, qenë “turmë e palogjikshme” e të tjera etiketa të pakëndshme.

Intensiteti i fushatës mediatike post-protestë duket se ka dy synime kryesore: të shpëtojë Kryeministrin aktual nga sikleti i tërheqjes dhe; të paraqesë protestat publike si diçka joracionale, shpesh si një shprehje dhune nga një minorancë mbi “mazhorancën” ose si një përplasje mes “konstitucionalistëve” dhe “revolucionarëve”. Dallohet shumë frikë për humbje pushteti në këtë fushatë komentesh antiprotestë. Në thelb kemi një përplasje mes “sundimit të elitave” dhe “demokracisë direkte”. Kemi edhe një frikë për një luftë të mundshme brezash mes 20-vjeçarëve dhe 40-50-vjeçarëve, ku këta të fundit dukshëm kanë pushtetin e formësuar pas rënies së sistemit komunist.

Veçanërisht grupi i komentatorëve në të majtë dhe në të djathtë që janë mësuar deri tani të kenë nën kontroll mjetet e informimit dhe dizinformimit publik, e kanë me shqetësim faktin që ky farë oligopoli po u ikën prej duarsh, si pasojë e fuqizimit të blogosferës, Facebook-ut, rritjes së numrit të shqiptarëve që janë në gjendje të informojnë apo dizinformojnë, duke përdorur internetin.

Meritat e protestës si e para protestë masive, me rezultat dhe me nivel të jashtëzakonshëm qytetarie, po injorohen në emër të krijimit të një narrative paniku të kotë dhe frike pa arsye nga armët kimike.

Nëse mund të shohim ndonjë dallim mes protestës së vitit 1991 që rrëzoi komunizmin dhe asaj të nëntorit të këtij viti, ky dallim është pikërisht aksesi i stërmadh në informacion që studentët e këtij viti kishin në krahasim me studentët e Dhjetorit.

Studentët e Dhjetorit ‘90 kishin parë fshehurazi në televizor rrëzimin e komunizmit në vende të tjera të Lindjes që ishin vrarë në sedër për faktin e thjeshtë se ne ishim vendi i fundit, absolutisht i fundit, që u çliruam nga çmenduria më e gjatë e shekullit të njëzetë. Dhe mbeturinat e komunizmit u përpoqën ta paraqisnin protestën e studentëve jo si një shfaqje krenarie dhe turpi i të qenët një vend komunist në një kontinent që tashmë kishte shumë muaj që kishte hyrë në rrugën e demokracisë, por si një protestë që kërkonte ujë nëpër dhoma, drita, lirinë për të veshur xhinse apo për të mbajtur mjekër. Pluralizmi politik si liri e pjesëmarrjes në politikë u interpretua si kërkesë për të ngrënë pula, ose pularizëm.

Për nga mundësia për t’u informuar, shqiptarët qenë më të painformuarit mes popujve të Lindjes. Kjo bëri që studentët ‘90 të mos e kishin shumë të qartë se cilët qenë e nga po vinin spekulantët politikë, të cilët morën pushtetin pak më vonë duke e futur Shqipërinë në një epokë Oruelliane të llojit të Fermës së Kafshëve. (Të mos mendojë kush se 1984 ka ndodhur ndonjëherë në Shqipërinë tonë primitive. Ne jemi ende te Ferma e Kafshëve!)

Me shumë pak gazeta të ndara me thikë dhe të botuara nga vetë partitë, si dhe vetëm një televizion, shqiptarët nuk kishin informacion tjetër në vitin ‘90, siç kishin polakët e të tjerët shtypin ilegal. Shqiptarët qenë edhe më të kufizuarit sa i përket aksesit në libra, një numër shumë të vogël njerëzish me shkollë të lartë, shumë pak njerëz që dinin një gjuhë të huaj, etj.

Pikërisht ky është dallimi i madh i protestuesve të ‘90 dhe protestuesve të sotëm. Aksesi në informacion është i gjithanshëm, librat janë të disponueshëm dhe interneti ofron mundësi për të shuar kureshtjen për çdo gjë. Por mbi të gjitha, Google ofron mundësinë për të kryer kontroll të së shkuarës së njerëzve. Për shembull, njëri prej protestuesve që ishte infiltruar nga Partia Demokratike qe djalë shumë i ri dhe nuk është se mund të thuhej se kishte bërë diçka të keqe në jetë. Por me një kontroll të shpejtë në Google rezultoi se kishte lidhje të ngushta me PD-në gjatë përplasjeve pas 21 janarit 2011. Morali i fabulës: nëse të rinjtë e vitit ‘90 do të kishin pasur Google, ata që u bënë udhëheqës të vendit vështirë se do të qenë bërë ndonjë gjë.

Pra nëse kemi Facebook për informim dhe dizinformim të pavarur e jashtë kanaleve tradicionale, kemi edhe Google si memorie kolektive. Është e vështirë të dizinformosh tashmë në mënyrë të përqendruar duke manipuluar të ftuarit nëpër debate televizive e duke përdorur “zhurmues” pra debatues pa argumente, por që dinë të bërtasin dhe t’i mbyllin gojën argumentit, është gjithashtu e vështirë që dikush të shitet për atë që nuk është.

Ky modeli postindustrial i informimit, që së shpejti do të bëhet modeli postindustrial i prodhimit, edhe për vende të varfra si Shqipëria, i ka bërë njerëzit më të lirë dhe më të pavarur.

Protesta e fundit shpjegon shumë gjëra edhe për 23 qershorin 2013. Diku te 430 mijë shqiptarë janë bërë votues për herë të parë mes viteve 2005 dhe 2013. Imagjinoni, një në çdo katër votues nuk e mban mend se çfarë ka ndodhur para vitit 2005, ose ka qenë shumë i ri për t’u interesuar. Këta votues i thanë JO! Berishës. Por qenë aq të informuar dhe të vetëdijshëm sa t’i thoshin JO!, jo thjesht armëve kimike. I thanë JO! politikës që kujtohet për opinionin publik një herë në katër vjet. Në protestë e sipër i thanë për herë të dytë JO! Berishës, tashmë në mënyrë më të fortë e më spektakolare. Kjo është çfarë do të ndryshojë në Shqipëri dhe protesta e 15 nëntorit ka dhënë një kontribut të çmuar. Politika pa ndjesi ndaj opinionit publik i përket së shkuarës. Dhe të mos mendojë kush që me më shumë reklama nga qeveria, shqiptarët do të mund të manipulohen, siç tregojnë eksperimentet sociologjike të shekullit të kaluar. Të sunduarit përmes propagandës dhe modelit mediatik korporativ i përket gjithashtu epokës industriale. Dhe të mos guxojë ndokush të mendojë se protestuesit qenë të painformuar apo të dizinformuar. Gjenerata e shqiptarëve të lindur pak para ose pak pas vitit 1990 i ka kushtet të jetë më e arsimuar dhe më e informuar se sa gjeneratat e mëparshme. Jo se gjeneratat e mëparshme kishin ndonjë defekt, por thjesht për faktin që kjo gjeneratë ka një shumëllojshmëri më të madhe mjetesh informimi. Anglishtja p.sh., që për gjeneratat paraardhëse ishte një aset i rrallë e i paçmueshëm, për gjeneratën e të rinjve sot është një posedim i rëndomtë. Nuk është mirë që të fillojmë të mohojmë realitetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA