Mario Gotze kthehet në “shtëpi”

22/11/2013 00:00

Bayern dhe Borussia do të ndeshen të shtunën në Dortmund (ora 18:30) dhe Mario Gotze do të jetë në qendër të vëmendjes pasi do të kthehet për herë të parë që nga transferimi tek klubi bavarez në stadiumin që ka qenë shtëpia e tij për shumë vite.

Në Dortmund as nuk duan ta dëgjojnë emrin e Mario Gotze. Vendimi i tij për të lënë Borusian vetëm pak ditë para finales së Ligës së Kampioneve ka bërë që tifozët verdhezi ta urrejnë pa masë. Bayern pagoi 37 milionë euro për të, por kjo nuk e ka zbehur zhgënjimin e tifozëve.

Për këtë arsye, drejtori sportiv i Borussias (Michael Zorc) është përpjekur të qetësojë fansat përpara ndeshjes: “Mario ka dhënë maksimumin për skuadrën tonë dhe meriton të respektohet. Nuk pretendoj që tifozët ta presin me ovacione, vetëm dua që ta respektojnë.”

Edhe vetë lojtari nuk e pretendon këtë: “Jam rritur tek Borussia dhe kam jetuar momente të mrekullueshme atje, por dua të shoh të ardhmen. I kuptoj tifozët dhe duhet të mësohem me vërshëllimat.”

Mario Gotze është rikthyer në formën më të mirë dhe ka fituar vendin e titullarit tek Bayern dhe kombëtarja gjermane kohët e fundit. Edhe të shtunën ndaj Borussias pritet ta nisë ndeshjen në formacionin e parë, sidomos pas mungesës së Frank Ribery.

Gjithsesi, edhe Borussia Dortmund do të paraqitet në këtë supersfidë me mungesa të rëndësishme , të gjitha në mbrojtje. Pizsczek, Subotic, Hummels dhe Schmelzer nuk do të lujnë për shkak dëmtimi duke detyruar trajnerin Jurgen Klopp të sajojë në prapavijë.

Top Channel