Një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Darisuz Sielicki vendosi të premten edhe dy muaj paraburgim për ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, kryetarin e komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, si dhe katër personave të tjerë Jahir e Zeqir Demakun, Sahit Jasharin dhe Avni Zabelin, të njohur si anëtarë të “grupit të Drenicës”.

Sipas raportimeve të “RTK”, Sabit Geci dhe Ismet Haxha ndodhen gjithashtu në burg, ndërsa 6 të tjerët, në mesin e të cilëve janë edhe kryetari i Drenasit Nexhat Demaku, si dhe deputeti Fadil Demaku, po ashtu të akuzuar për pjesëmarrje në këtë grup, do të vazhdojnë të mbrohen në liri.

Të gjithë këta persona dyshohen për vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, që supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të UÇK-së në Likovc, në vitin 1998.

Avokati i Lushtakut, Arianit Koçi e ka cilësuar këtë aktvendim si skandaloz. “Vendimi është skandaloz dhe unë brenda 24 orëve do të bëj ankesë”, ka thënë Koçi. Ndërsa Tomë Gashi, mbrojtës i ambasadorit Selimi, ka thënë se ky aktvendim i gjykatësve të EULEX-it është joligjor dhe fyes për ish-ushtarët e UÇK-së.

Zgjatja e paraburgimit me dy muaj për Sami Lushtakun rrezikon që ai të humbasë mandatin që ka fituar së fundmi në zgjedhjet e 3 nëntorit, si kryetar i komunës së Skenderajt. Ligji për vetëqeverisje lokale, neni 56, parasheh që nëse kandidati nuk mund ta bëjë betimin një muaj pas çertifikimit e humb mandatin.

Top Channel