Cristiano: Ndihem i identifikuar me Realin

22/11/2013 00:00

Cristiano Ronaldo, në një emision radiofonik spanjoll ku ishin të pranishëm edhe tre fëmijë që vuajnë nga leuçemia, iu përgjigj pyetjeve të të vegjëlve duke treguar anën e tij njerëzore.

Sulmuesi portugez theksoi se ndihet tërësisht i identifikuar me Realin e Madridit kur u pyet nëse ndihej i vlerësuar nga tifozët madrilenë.

“Është sezoni im i pestë tek Reali. Në fillim nuk dija si të lidhesha me tifozët e Bernabeut pasi janë ndryshe nga të tjerët. Gjatë viteve të para nuk ndihesha i identifikuar me ta, por më pas kuptova se gabimi mund të ishte i imi dhe se duhej të përshtatesha unë me mentalitetin spanjoll. Pas vitit të tretë e ndjeva veten tërësisht të identifikuar me Realin, si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Tani jam 100% i lumtur. Dua të qëndroj në Madrid deri në fund të kontratës”, theksoi Cristiano Ronaldo.

Fëmijët ishin kuriozë edhe për faktin nëse Cristiano do të shkojë apo jo në ceremoninë e dorëzimit të Topit të Artë FIFA. Portugezi tha: “Nuk mendoj për Topin e Artë. E di që çmimi dorëzohet në janar, por nuk e di nëse do të shkoj. Nuk dua të flas pasi nuk varet vetëm nga mua. Të shohim.”

Top Channel