Rikthehet “Kinemaja Ime”

21/11/2013 00:00

Producentë, regjisorë, aktorë protagonistë të prodhimeve kinematografike shqiptare të viteve të fundit rrëfejnë emocionet dhe situatat e pazakonta të sheshit të xhirimit.

“Kinemaja ime” rikthehet pas 3 vitesh në edicionin e dytë me të njëjtin mision: Të promovojë kinematografinë shqiptare e të njohë publikun me filmat më të rinj vendas!

“Top Channel ka pasur gjithmonë në linjën editoriale promovimin e kinematografisë shqiptare dhe me këtë emision kërkuam të tregonim punën e jashtëzakonshme pas realizimit të një filmi. Njerëzit janë të interesuar për programin dhe unë jam shumë e kënaqur. Kineastët e kanë pritur mirë idenë pasi kjo është një mënyrë për të treguar punën e tyre”, u shpreh gazetarja Ornela Islami në studion e “Pasdite në Top Channel”.

Përmes këtij programi janë shfaqur për herë të parë në ekranin e Top Channel filmat “Nata pa Hënë” i regjisorit Artan Minarolli dhe “Ballkan Bazar” i Robert Budinës për të vazhduar me filma të tjerë shqiptarë.

Në 6 javët në vijim, do të shfaqen filmat:

“Amnistia”, këtë të shtunë. Historia e një burri dhe një gruaje që takohen rastësisht jashtë dyerve të burgut. Të dy kanë bashkëshortët të burgosur, por mes tyre lind një histori dashurie, e destinuar për të përfunduar, kur falë një amnistie nga shteti partnerët lirohen. Një film i regjisorit Bujar Alimani.

“Shqiptari”, bashkëprodhimi gjermano-shqiptar i regjisorit Johannes Naber. Personazhi kryesor, Arbeni, lë të dashurën e tij 20-vjeçare në Tropojë dhe niset drejt Gjermanisë për një jetë më të mirë. Aty i duhet të përballet me shumë peripeci. Që të bëjë para i duhet t’i hyjë trafikut të emigrantëve.

“Maya”, i regjisorit Pluton Vasi, rrëfen jetën e një gruaje të një familjeje të çfarëdoshme, në një qytet të çfarëdoshem, për të sjellë në vëmendje marrëdhënien e shtetit me individin. Ndërthurja e jetës së saj me atë të njerëzve të tjerë që jetojnë në të njëjtin komunitet krijon një tension konstant dhe mban të lartë përqendrimin ndaj filmit.

Historia e filmit shqiptar “Agon” e regjisorit Robert Budina tregon për dy vëllezër shqiptarë, që jetojnë e punojnë në Greqi. Njëri përpiqet të integrohet në shoqërinë e re, me ndershmëri e devotshmëri, ndërsa vëllai tjetër gjendet në provën e dhimbshme të trafiqeve të paligjshme.
 
“Koha e Kometës”, e regjisorit Fatmir Koçi. Në qendër të filmit është historia e pesë fshatarëve nga pjesa lindore e Shqipërisë, që një ditë të bukur njoftohen për ardhjen e mbretit Vid në Shqipëri nëpërmjet gazetës. Ata vendosin të nisen ta ndihmojnë mbretin, të luftojnë për të. Por, në vend që të gjenin luftën, ata gjeten dashurinë! Skenari është bazuar në romanin e Ismali Kadaresë “Viti i mbrapshtë”.
 
“I dashur Armik”, bashkëprodhim shqiptaro-franko-gjerman. Ngjarja zhvillohet pas tërheqjes së italianëve dhe ardhjes së Gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një tregtar shqiptar strehon një partizan, një ushtar italian të mbetur pas tërheqjes së bashkëkombasve të tij dhe një çifut. Gjithashtu, mban miqësi me një oficer gjerman. Një film i regjisorit Gjergj Xhuvani rrëfen një histori realiste që shkund ndërgjegjen e njeriut në kohë lufte.

Shfaqjes së secilit prej këtyre filmave i paraprin një emision i dedikuar i vetmi në llojin e tij që risjell shijen e sheshit të xhirimit. Përmes rrëfimeve të protagonistëve, shikuesi jo vetëm mëson mbi tematikën, si realizohet një film, por edhe argëtohet duke zbuluar kuriozitete apo situata zbavitëse.

“Kinemaja ime” ju fton çdo të shtunë në 20.45 të uleni përpara ekranit me komoditetin që ofron shtëpia të përjetoni emocione shqip.

Situata e kinematografisë shqiptare

Filmi sot nuk është vetëm art, por edhe industri! Në Hollivud gjenerohen miliarda dollarë nga prodhimet kinematografike. Pjesë e një tregu global, kineastët shqiptarë kanë përzgjedhur për të sjellë në ekranin e madh specifiken e problematikës dhe fenomeneve shqiptare.

Kinematografia ka një vend të pazëvendësueshëm në shoqëri si një ndër mënyrat më efikase që nxit reflektimin. Të fton të vështrosh e të kuptosh veten, të korrigjohesh.

Jo të gjithë shqiptarët kanë lexuar histori, por është vështirë të gjesh një të tillë që nuk e ka parë filmin “Skënderbeu” apo “Nëntori i Dytë”.

Filmi shqiptar sot nuk duket se është në momentin e tij më të mirë. Sipas institucionit më të lartë të kinematografisë shqiptare, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, që siguron financimin e prodhimit të filmit shqiptar, buxheti që ka në dispozicion për projekte të ndryshme si mbështetja e filmave, organizimi dhe pjesëmarrja në festivale, promocione nuk është i përcaktuar, por ndryshon çdo vit. Për vitin 2013 buxheti i qendrës është 70 milionë lekë të reja.

Në vendet fqinje, buxheti për të njëtin hark kohor është shumë më i lartë. Kështu:

Kosova – 600.000 euro
Maqedonia – 4 milionë euro
Bosnja – 1.5 milionë euro
Kroacia – 6 milionë euro
Serbia – 1.4 milionë euro

Në këto kushte, me mungesë financimi e teknologji jo shumë të zhvilluar që nga krijimi QKK-së në vitin 1997 janë prodhuar rreth 36 filma artistikë me metrazh të gjatë, ndërsa 3 filma janë aktualisht në postproduksion. 60 filma me metrazh të shkurtër, përfshirë edhe 2 filma që janë aktualisht në postproduksion, 85 filma dokumentarë dhe 54 filma vizatimorë.

Shqipëria ka qenë një vend me prodhimtari shumë të lartë kinematografike. Studio-filmi “Shqipëria e Re” u krijua në vitin 1952 dhe filmi i parë i realizuar është “Skënderbeu”. Gjatë 45 viteve, nga viti 1952- 1997 u prodhuan rreth 300 filma artistikë, 700 dokumentarë dhe 150 filma të animuar. Vitet ’60 shënuan prodhimin sistematik të filmit artistik në mesatarisht 1 film në vit, kryesisht me subjekte nga lufta kundër pushtuesve fashistë e nazistë dhe nga reformat e viteve të pasluftës.

Në vitet ’70 u shënua një rritje e ndjeshme e prodhimit, nga 5-6 filma artsitikë në vit në fillim të periudhës, deri në 8-10, për të arritur në 14 në vitet ’80.

Top Channel