Refuzimi i armëve kimike, një shans i humbur

21/11/2013 00:00

Pas vorbullës së ngjarjeve të javës së kaluar që u mbyll me refuzimin e Shqipërisë për të lejuar territorin dhe burimet e saj të përdoreshin për çmontimin e armëve kimike siriane, një nga pyetjet që u shtrua ishte nëse kjo do të ndikonte tek marrëdhëniet dypalëshe me Shtetet e Bashkuara.

Por, më pak u fol se ç’do të thoshte për Shqipërinë që të kishte mundësinë të bashkëpunonte për zgjidhjen e një problemi të mprehtë kombëtar.

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker dhe ish-zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Ian Brzezinski kanë analizuar për Zërin e Amerikës mënyrën se si u menaxhua procesi dhe a do ta kishin tejkaluar përfitimet e një përgjigjeje pozitive, vlerën e vendimit kundër.

Dy ish-zyrtarët e lartë amerikanë nuk e mohojnë se hezitimi i publikut ishte i kuptueshëm duke pasur parasysh se bëhej fjalë për armë kimike, se edhe vende të tjera refuzuan, si edhe kujtimet e ngjarjeve të tilla si ajo e shpërthimit të Gërdecit.

“Kjo ishte një mundësi për Shqipërinë për të dhënë kontribut për zgjidhjen e një problemi shumë serioz ndërkombëtar, siç është pyetja se ç’duhet bërë me këto armë kimike ekzistuese dhe që Siria ka shprehur vullnetin që t’i dorëzojë. Me një ndihmë ndërkombëtare, Shqipëria mund të kishte dhënë një kontribut serioz për çmontimin e tyre”, deklaroi ish-ambasadori i SHBA-së, Kurt Volker.

Ian Brzezinski, ekspert i sigurisë në Këshilllin e Atlantikut, mendon se për Shqipërinë refuzimi ishte një shans i humbur.

“Është një shans i humbur sepse një vendi si Shqipëria nuk e i vjen çdo ditë rasti të thellojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj në mënyrë të konsiderueshme me një vend si Shtetet e Bashkuara. Nëse do që të gëzosh më shumë fryte nga një marrëdhenie duhet të kontribuosh më shumë”, komentoi Brzezinski.

Megjithatë Brzezinski ndan bindjen se vendimi i Shqipërisë nuk do të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe dhe se në Shtetet e Bashkuara vlerësohet se sa pro-amerikane eshte ajo në tërësi.

Volker kujton edhe një herë se Uashingtoni do të kishte punuar hap pas hapi me Shqipërinë në një proces të mundshëm.

Për ish-zyrtarin tjetër, Djalli është gjithmonë tek detajet. Ideja e tij është se Shqipëria duhet ta kishte përdorur një proces të tillë për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare dhe në axhendën e hartuesve të politikane në qarqet më të larta në SHBA.

Për Brzezinkin, si qeveria amerikane, ashtu edhe ajo shqiptare mund ta kishin menaxhuar më mirë këtë çështje, por sipas tij, pati një tendencë mes disa shqiptarëve që të ekzagjeronin rrezikun dhe ata me të drejtë shtruan pyetje për procesin.

Ndërkohë, pyetja se ku do të shkatërrohen armët kimike të Sirisë vazhdon të mbetet pa pergjigje dhe amerikanët këtu i kanë perqendruar tani përpjekjet e tyre.

Top Channel