Botërori 2022, Blatter sulmon Katarin

21/11/2013 00:00

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter i ka cilësuar si të papranueshme
kushtet e emigrantëve që ndodhen në Katar për të punuar në stadiumet për
Botërorin e vitit 2022.

Blatter është takuar me presidentin e Konfederatës Sindikale Ndërkombëtare, Michael Sommer, të cilit i ka shprehur nevojën urgjente për ndryshimin e situatës, me qëllim respektimin e të drejtave të punëtorëve.

Takimi është zhvilluar tre ditë para publikimit të një raporti nga Amnesty International mbi mënyrën e trajtimit të emigrantëve të punësuar në kantieret e Emiratit.

Në lidhje me situatën ka reaguar prokurori i përgjithshëm i Katarit, Ali bin Fetais, i cili ka folur për një komplot të ndërthurur ndaj vendit të tij.

“Disa vende që aspironin të prisnin Botërorin 2022, e drejtë që më pas iu dha Katarit, fshihen pas hetimit të publikuar në “The Guardian” për shfrytëzimin e punëtorëve”, ka deklaruar Fetais.

Zyrtari i lartë është shprehur skeptik për vërtetësinë e lajmeve për abuzimet dhe është shprehur i gatshëm të marrë në pyetje punëtorët e huaj, për të verifikuar situatën.

Ai ka bërë gjithashtu të ditur se pas artikujve denoncues të publikuar në të përditshmen “The Guardian”, Katari ka hapur një proces hetimor.

Top Channel