Ronaldo çon Portugalinë në Brazil

20/11/2013 01:00

Franca, Portugalia, Kroacia dhe Greqia janë katër ekipet europiane të fundit, që kualifikohen për në Botërorin “Brazil 2014”, që do të startojë qershorin e ardhshëm.

Super Cristiano Ronaldo, me 3 golat e tij, mundi 3-2 Suedinë, në fushën e vet, dhe i dhuroi Portugalisë kualifikimin për në Botëror.

3 golat e shënuar të martën e shndërrojnë Cristiano Ronaldo-n në golashënuesin më të mirë, së bashku me Pauletën, në historinë e kombëtares portugeze, dhe e afrojnë atë më shumë me trofeun “Topi i Artë”.

Ibrahimovic shënoi 2 gola, por humbjet e Suedisë në 2 ndeshjet “Play-off”, e lënë jashtë Brazilit këtë kampion.

Franca përmbysi humbjen e parë dhe mposhti 3-0 Ukrainën, duke siguruar dhe ajo një vend në Brazil. Goli i dytë, i Benzema në pozicion jashtë loje, pritet të sjellë polemika dhe të rikthejë situatën e 4 viteve më parë, ku “transalpinët” u kualifikuan falë prekjes së topit me dorë nga Henry.

Dy golat e tjerë të kombëtares së Deschamps u shënuan nga Sakho, nga një në çdo pjesë.

Greqisë i mjaftoi barazimi 1-1 në Rumani, për t’iu bashkuar përfaqësueseve të tjera europiane në Brazil.

Ëndërra braziliane për Islandën përfundoi në Zagreb. Surpriza e këtyre eleminatoreve u mund 2-0 nga Kroacia, e cila shkon për herë të katërt në një kampionat botëror.

Golat u shënuan nga Mandzukic, në pjesën e parë, dhe Srna, në të dytën.

Top Channel