“Pavlefshmëria, vetëm në gjykatë”

20/11/2013 00:00

Një nga avokatët për çështjen e kompleksit “Jon”, por njëkohësisht edhe banore në këtë objekt, Erinda Ballanca këmbëngul se çdo konflikt për çështjen e këtij objekti në qytetin e Vlorës nuk mund të zgjidhet në asnjë vend tjetër përveçse në gjykatë.

“Rrealisht nuk ka asnjë pavlefshmëri, por edhe sikur të ketë pavlefshmëri nuk e gjykon një organ i shtetit. S’e kanë këtë kompetencë ligjore as Manjani, as INUK. Këtë e ka gjykata dhe vetëm gjykata”, deklaron Ballanca.

Për avokaten, leja e ndërtimit është dhënë mbi truall ekzistues dhe jo në det. “Pse pretendon zoti Manjani që nuk ekziston, kur unë kam dokument nga ky shtet që ekziston? Të gjitha faktet mbi pasuritë e paluajtshme regjistrohen në regjistrat publikë. Pronare ishte familja Ndini, e cila ia shiti pronarëve aktualë, të cilët e blenë dhe të cilët fituan titullin e pronësisë dhe aplikuan”, nënvizon Ballanca.

Për avokaten, nuk mund të gjykohet asnjë vendim gjykate, por as dokument shtetëror për sa kohe pronarët legjitimë i kanë shteruar të gjitha rrugët që parashikon ligji për fitimin e së drejtës së tyre. Zonja Ballanca shprehet se për këtë çështje edhe INUK-u i Vlorës ka kryer verifikimet përkatëse.

“Në momentin që është dhënë leja janë bërë verifkimet, janë bërë fotografimet, por kemi edhe dokumenta të tjera dhe një leje tjetër që është dhënë nga INUK-u, një organ i pavarur e i mëvetshëm që kontrollon lejet nga bashkia. Është vërtetimi për fillimin e punimeve, kjo tregon se është verifikuar se ku do bëhej ndërtimi. Ndërtimi s’do bëhej as në ajër, as në det. Vërtetimi është dhënë nga shefi i INUK, që aktualisht është shef i komisariatit të Vlorës”, shton Ballanca.

Në mbyllje avokatja thekson se, nëse shkelet vendimi më i fundit i Gjykatës Administrative, atëherë do të jemi në kushtet e kryerjes së një vepre penale pasi, sipas zonjës Ballanca, shkelet e drejta e pronës.

Top Channel