Seria A, ndalen Milan e Napoli

18/11/2013 08:40

Dygolëshi i Mario Ballotelit i dhuroi Milanit barazimin 2-2 në Livorno, një pikë që nuk i bën shumë punë kuqezinjve në klasifikim. 

Skuadra e Allegrit kaloi e para në avantazh me një gol të sulmuesit Italian, por më pas u detyrua ta nxirrte dy herë topin nga rrjeta pas golave të Siligardit dhe Paulinjos.

Ka qenë sërish Balloteli ai që me një supergol shpëtoi Milanin nga humbja dhe që regjistroi dopietën e parë sezonale.

Në ndeshjen tjetër të luajtur ditën e shtunë, Napoli humbet përsëri terren në luftën për titullin kampion, duke u ndalur në shtëpi në një barazim spektakolar 3-3 nga Udinese.

Skuadra e Benitez kryesoi 2-0, por u arrit në 2-2 prej miqve. Një gol i Dzemailit në pjesën e dytë u duk se do t’i jepte Napolit tripikëshin, por Basta barazoi përfundimisht për miqtë dhjetë minuta nga përfundimi. 

Top Channel