Midis folklorit dhe armëve kimike

18/11/2013 00:00

Ilir Yzeiri – Refuzimi nga ana e qeverisë shqiptare i propozimit
amerikan për të shpërbërë një pjesë të armëve kimike të regjimit të
Asadit, ka qenë këto ditë tema thuajse e vetme e komenteve, analizave,
opinioneve në faqet e shtypit, por ka qenë edhe një aset i çmuar për
ashikët e tavolinave, mejhaneve, shkurt, për armët kimike nuk mbeti
njeri në Shqipëri pa dhënë mendimin e tij.

U përfshinë të gjithë në këtë debat ashtu siç bënim në kohën e socializmit, kur një temë e caktuar, fjala vjen përdorimi i plehut kimik, do ta rriste rendimentin e grurit apo jo, apo nëse prishja e marrëdhënieve me Kinën do na bënte më të fortë dhe më heroikë e kështu pa fund.

Spektakli që u dha javën që shkoi me manifestimin e të rinjve para Kuvendit të Shqipërisë, para godinës së Kryeministrisë, në Bulevardin e Madh kishte ngjyra nga më të larmishmet dhe mori në disa raste karakterin e shfaqjeve folklorike. Më ka mbetur në mendje një i ri nga Korça që tha se “pellazgët, të parët tanë, na e kanë lënë amanet që ta ruajmë të pastër Shqipërinë”, një tjetër grua, më duket me emrin Fatime, tha para mikrofonit të një stacioni televiziv se unë jam nga një fshat i Librazhdit po nuk do t’i lë fëmijët e mi që të vdesin nga armët kimike.

Nga pellazgët ne nuk kemi asnjë dëshmi të shkruar, por i riu nga Korça kishte gjetur amanetin, nejse. Po çfarë kishte ndodhur në të vërtetë? Ishte përhapur lajmi nga mediat se Shqipëria po bën tratativa, me amerikanët kryesisht, që të marrë një pjesë të arsenalit të armëve kimike që do të shpërbëheshin sipas një Rezolute të OKB-së dhe ky proces të kryhej në Shqipëri. Nuk dua të përsëris edhe njëherë rolin që luajti Berisha dhe opozita për të përfituar nga kjo situatë, ashtu siç nuk kam ndërmend që të komentoj mendimet e atyre që ishin kundër këtij procesi. Do të doja ta shihja nga një kënd tjetër gjithë këtë dukuri. Pra lajmi ishte ai që sapo thashë. Nga ana tjetër, para disa kohësh në media u dhanë pamjet makabre të fëmijëve të helmuar nga gazi sarin prej regjimit mizor të Asadit në Siri. Këto pamje ishin vendosur në nënvetëdijen tonë dhe rrinin aty të përgjumura. Befas, dikush përhap një lajm tjetër: në Shqipëri do të vijnë për t’u demontuar armët kimike të Asadit. Shoqata ambientaliste me të drejtë thërriti mbështetësit e saj që të protestonte kundër kësaj nisme. Mirëpo, lajmi kishte dalë nga binarët e normales dhe vetëm tani te shqiptarët u zgjua edhe pamja makabre e fëmijëve të helmuar me gazin sarin. Mbivendosja e këtyre dy rrjeteve asociative në një popull folklorik siç jemi ne bëri që lajmi ta humbasë përmbajtjen e vet dhe nga një marrëveshje në parim dhe konfidenciale, nga bisedë shumë e kujdesshme që kërkonte vetëpërmbajtje, gjykim të ftohtë dhe racionalitet, ky lajm erdhi dhe e humbi kuptimin e vet dhe u transformua në një kumt që përmbante elementet e luftës.

Në nënvetëdijen e shqiptarëve lajmi u transformua dhe u përhap paniku se Shqipëria do të sulmohej nga armët kimike. Ndaj të gjithë në shesh që t’u themi jo armëve kimike. Ky patos patriotik dhe retorika që e shoqëronte atë i bënë sidomos të rinjtë që të ndiheshin më në fund të vlefshëm për këtë vend dhe të identifikoheshin me një kauzë, megjithëse pjesëmarrja e të rinjve ka edhe shpjegime të tjera, sipas meje. Gjithë kjo formë të menduari dhe të vepruari mbështetet mbi dyshimin kolektiv. Ne jemi një popull që kemi qenë nën trysninë më të madhe nga propaganda komuniste dhe autoritariste. Për ne i pasuri apo një pronar është hileqar, hajdut, e ka mendjen si e si të fitojë vetë dhe t’ua fusë të tjerëve. Ky imazh kolektiv në fakt mbështetet mbi një kulturë të caktuar. Ne nuk kemi modele pasunarësh që të kenë lënë gjurmë në jetën e vendit tonë, si bie fjala Anjeli në Itali apo familja që krijoi markën Ferrari. Në traditën tonë pasunarët e kanë parë Shqipërinë si një mundësi për ta mjelë në të shumtën e rasteve. Nga kjo vetëdije është kaluar më pas te një psikozë tjetër, sipas së cilës ne shqiptarët dyshojmë te Perëndimi i pasur, tek Amerika. Pse? Sepse në të gjithë manifestimin folklorik që u bë në Tiranë për armët kimike të Asadit, ajo që u vu re me të madhe ishte dyshimi dhe mosbesimi te SHBA-të. Sa herë kam pasur rast që t’u them miqve të mi se përse nuk e përkrah këtë manifestim apo protestë, kam përsëritur vetëm këtë fakt: unë nuk dyshoj tek Amerika. Në qoftë se amerikanët na garantojnë se ky do të jetë një proces korrekt dhe se nga ky operacion Shqipëria do të dalë më e pastër, sepse lëndët kimike do të shpërbëhen këtu dhe pastaj do të digjen në një vend tjetër, unë këtë pjesë të marrëveshjes me amerikanët e besoj, sepse besoj te SHBA-ja. Edhe kur kritikova ambasadorin amerikan, Arvizu, pse ai po mbështeste Berishën dhe pse ai justifikonte të vrarët më 21 janar, këtë e bëra se unë nuk dyshoj kurrë tek Amerika. Të gjithë miqtë e mi apo të tjerë që kam dëgjuar këto kohë shpreheshin ose nën zë ose hapur se nuk besonin tek Amerika, se amerikanët do na mashtronin. Personalisht, këtë radhë u binda edhe më shumë se ne jemi një popull oriental në shpirt se nuk gjykojmë e mendojmë me arsye, por gjykojmë e sillemi duke u mbështetur në dyshime e në paragjykime monstruoze disa herë. Ne nuk jemi rritur ende si kombe që të përfshihemi në radhën e vendeve të fuqishme që mund të kenë nesër peshë në vendimmarrjet e globit. Për fat të keq, ne e kemi lidhur gjithmonë fatin tonë me një qendër të fuqishme dhe e kemi dashur atë qendër pikërisht atëherë kur ajo na ka shkatërruar e na ka dëmtuar më shumë. Shqiptarët, si pak popuj të tjerë në Ballkan, mezi u shqiptën nga Baba Dovleti dhe ishin të kënaqur vetëm të kishin një kasolle me bishtuk, një gropë në oborr për të kryer nevojat personale dhe “rroftë e qoftë Baba Dovleti”. Po të mos kishin qenë shqiptarët e mërguar në Amerikë, Noli e Konica apo ata në Egjipt, Rumani e Bullgari, po të mos kishin qenë gjithashtu intelektualët e mëdhenj që jetonin në Stamboll, shqiptarët e Shqipërisë do të ishin edhe sot si mos më keq e ndoshta mund të ishin shuar fare. Shqiptarët, në shumicë kanë nostalgji për Rusinë dhe dyshoj se po të bëhej sot një sondazh se kë duan më shumë Rusinë apo Amerikën, ky sondazh nuk do të dihet si do dilte. Ndërsa, Amerikën ne e duam në mënyrë folklorike. Bëmë një pritje madhështore për Bejkerin njëzetë e ca vjet më parë, por në gjithë këta vite kemi bërë të kundërtën e asaj që mishëron Amerika. Në vitin 1997 kriza u provokua, sepse Amerika nuk lejoi që të vritej demokracia, por edhe atëherë edhe sot i njëjti njeri dhe e njëjtat forcë politike, PD-ja, iu kundërvunë Amerikës. Ndërsa manifestimi kundër armëve të Asadit që kishte si frymëzim dyshimin tek Amerika ishte prova e qartë se ne kemi mbetur aty ku ishim, se nuk dimë të negociojmë dhe të bëhemi partnerë me ata që na quajnë të vlefshëm. Ne u treguam miqve tanë më të mëdhenj dhe më të sinqertë se kemi mbetur një popull i vockël, dyshues dhe mosbesues te vlerat e Perëndimit. Edi Rama nuk mundi ta kapërcejë këtë handikap të shoqërisë shqiptare, por ai duhet ta dijë se këtej e tutje mund të përballet edhe me protesta të tjera, ndoshta edhe më të mëdha që janë kundër globalizimit, kundër imperializmit botëror, siç thonë “blac-blok-sat”, fjala vjen, se ndoshta edhe në Shqipëri mund të vijnë grupe ekstremiste si ato që djegin Parisin apo Londrën, apo si në Greqinë fqinje, ku zemërimi për dështimin e sistemit ekonomik ka çuar disa herë në protesta të përgjakshme. Këtej e tutje ai duhet të bëhet më i fortë dhe t’u tregojë të gjithëve se vendimet nuk do t’i marrë më i detyruar nga turmat që protestojnë, por nga mandati i popullit që e ka votuar. Këtë radhë, ai dhe qeveria e tij treguan maturi dhe u sollën me protestuesit ashtu siç duhet të ndodhë në një vend demokratik dhe të lirë. Dhe ky duhet të jetë një model i pandryshuar. Ndërkaq, të gjithë duam të shohim një qeveri që respekton mandatin që ka marrë dhe programin që duhet të realizojë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA