F1, Alonso: Nënkampion dhe i lumtur

18/11/2013 00:00

Fernando Alonso përfundoi në vendin e pestë Cmimin e Madh të SHBA-së duke siguruar kështu vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të kampionatit kur ka mbetur edhe një garë për t’u zhvilluar.

Spanjolli i Ferrarit u shpreh i lumtur me këtë arritje pasi sipas tij Vettel nuk duhet të llogaritet.

“Me makinat Red Bull në pistë ishte e vështirë që Raikkonen apo Hamilton të fitonin dy gara, kështu që një vend i dytë i tillë është njësoj sikur të jesh i pari mes normalëve”, tha Alonso pas garës.

Në lidhje me vendin e dytë në kampionatin e Konstruktorëve, dy herë kampioni i Botës u shfaq pesimist: “Do të jetë e vështirë të kalojmë para Mercedesit. Në Interlagos do të luftojmë, por e dimë që kemi humbur shumë në këto garat e fundit, e dimë që kemi bërë hapa prapa. Dola i pesti në Abu Dabi dhe i pesti në SHBA, për këtë arsye do të jetë e vështirë t’i dalim para Mercedesit.”

Top Channel