Revanshi i dështuar i Sali Kimikut

16/11/2013 00:00

Andrea Stefani – Qytetarët i përzunë me vërshëllima Sali Berishën dhe
Lul Bashën nga bulevardi. Ata i thanë “JO” tentativës së tyre për të
nxjerrë përfitime politike nga protesta kundër prurjes së helmeve në
Shqipëri dhe për ta shndërruar atë në një revansh kundër votës së qartë
popullore të 23 qershorit.

Incidenti provoi se meraku i Berishës nuk ka të bëjë me helmet, por me gjakimin për të përmbysur qeverinë e dalë nga të vetmet zgjedhje të rregullta, dhe për të ringjallur shpresat e dëshpëruara të klanit të tij politik. Një taktikë që rreket të shndërrojë në hiç rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, duke bërë që masat në protestë të dalin kundër vullnetit të popullit të shprehur në votim. E gjithë kjo intrigë i ka rrënjët në disa shpifje, por edhe në disa të vërteta. I përfolur se ka dashur të përdorte armë kimike në vitin ’97 kundër shqiptarëve, Berisha të kujton një ministër të Sadamit që për shkak të përdorimit të armëve kimike kundër kurdëve, u bë i njohur si Ali Kimiku. Sepse duke manipuluar dinakërisht debatin mbi shkatërrimin e armëve kimike siriane, tentoi të realizojë një revansh në funksion të rimarrjes së pushtetit. Revanshin e Sali Kimikut.

***

As qeveria “Rama” dhe as komuniteti ndërkombëtar (përfaqësuesit e SHBA në radhë të parë), nuk arritën të sqarojnë në kohë shqiptarët lidhur me shkallën e rrezikut (apo mungesën e tij), që bart procesi i shkatërrimit të lëndëve apo armëve kimike. Shpjegimet e vona të ambasadorit të SHBA-së dhe të një eksperti të Organizatës Botërore për Shkatërrimin e Armëve Kimike, rezultuan të pjesshme dhe të pamjaftueshme. Edhe sot nuk është kuptuar nëse do të vinin predha kimike që duhen edhe demontuar, apo thjesht disa komponentë të armëve kimike të veçuara nga njëra-tjetra. Sqarime të pakta, të vonuara dhe të zbehta si belbëzime në një moment kur paniku, në baticë të lartë, kish nxjerrë njerëzit në rrugë dhe duhej bërë shumë më tepër t’i qetësuar. Shkurt as qeveria, as SHBA dhe as ndërkombëtarët, nuk i thanë dot me plot gojë e prova shqiptarëve, se procesi do të kishte pasojë negative “0” për jetën dhe mjedisin! E metë tjetër ishte mbizotërimi i shpjegimit politik dhe jo i atij teknik e teknologjik.

***

Kjo vonesë dhe plogështi pati përballë një aktivizëm energjik të disa lëvizjeve mjedisore që mbisensibilizuan shqiptarët mbi shkallën katastrofike të rrezikut të një procesi demontimi apo shkatërrimi të armëve kimike. S’kam asnjë dyshim për devocionin e sinqertë të shumë prej eksponentëve të këtyre lëvizjeve, që do të mbeten një aset i çmuar i demokracisë foshnjore shqiptare, dhe më vjen keq që ky devocion ndaj mjedisit dhe vendit, u tentua të keqpërdorej nga dinozaurët e politikës së vjetër. Por nuk mund të mos them se krahas të vërtetave të shqiptuara, nga tribunat e këtyre lëvizjeve, publiku u bombardua me probabilitetin e rreziqeve që kanë të bëjnë jo me një proces shkatërrimi, por me shpërthimin e armëve kimike në një fushëbetejë. Një dizinformim që u fry edhe nga GONGO-t (këto janë OJQ qeveritare) të ish-qeverisë së Sali Kimikut, si dhe nga deputetë të opozitës, të infiltruar në protestën qytetare. Shqiptarëve iu tha se jeta e tyre është në rrezik, dhe ju bë thirrje të dalin në mbrojtje të jetës! Importimi i lëndëve kimike për shkatërrim (në thelb një akt human në shërbim të jetës në globin tonë) u stigmatizua si vdekja vetë. Mjerisht, edhe zëra të fuqishëm dhe të nderuar nga opinioni publik, si ai i poetit Dritëro Agolli, ndikuan të përhapet me shpejtësi më të madhe se avujt e çdo lëndë helmuese, panikun se me të ardhur kontejnerët nga Siria, në Shqipëri do të zhdukeshin jo vetëm njerëzit, por edhe karkalecat! Panikun e frynë edhe më tej deklarime eurodeputetësh, politikanësh në vendet fqinje apo mediash (në Itali dhe Greqi), që shfaqën alarmizëm mbi pasojat që do kishte edhe në mjedisin e shteteve të tyre, sjella e lëndëve kimike luftarake në Shqipëri. Por mbi të gjitha nuk u sqarua se përse duhet të ishte pikërisht Shqipëria e vogël dhe e varfër, ajo që duhet të kryente një shkatërrim aq voluminoz. Një problem që ka prekur sedrën e shqiptarëve (mos po na kthejnë në një kosh mbeturinash?) dhe që ishte aspekti më i sinqertë i protestave.

***

Është ironike të konstatosh që paniku i shteteve fqinje bazohej në përvojën e skandaleve të kaluara korruptive të qeverisë së Sali Berishës. Greqia, për shembull, e argumentoi rrezikshmërinë e një demontimi të mundshëm të armëve kimike në Shqipëri, me frikën e përsëritjes së një shpërthimi si ai i Gërdecit. Ironikisht, Berisha dhe Basha, do përfitonin në përpjekjet e tyre për dështimin, e më pas edhe rrëzimin e Ramës, nga frika që kanë rrënjosur, jo vetëm në Shqipëri, flaka, rrënimi, vdekjet dhe shpërthimet e skandaleve dhe superkorrupsionit të tyre të pandëshkuar. Ndaj qenë shumë të vonuara, pra edhe të pafuqishme për të mposhtur këtë psikologji frike, garantimet e ambasadorit të SHBA, zëvendësit të tij dhe të kujtdo tjetër, se procesi i demontimit do të jetë i garantuar nga teknologji dhe ekspertiza më e mirë në botë.

***

Berisha dhe Basha po përfitojnë edhe nga servilizmi i tyre i djeshëm ndaj SHBA, kur pranonin edhe ujgurë e muxhahidinë me gatishmëri më të madhe se çdo shtet tjetër. Të neveritur nga një “jesmenëri” e tillë nga qeveritë e derisotme, shqiptarët po i thonë “jo” një dileme e jo më një vendimi të qeverisë “Rama”, për t’u dakordësuar me një kërkesë të vështirë të bërë nga amerikanët. Të lodhur nga arroganca e deridjeshme shkëmbore e Berishës, qytetarët i thanë “jo” luhatjes së Ramës. Nuk duhet harruar që Berisha ndërtoi TEC-in në Vlorë duke shpërfillur me arrogancë lëvizjet dhe protestat qytetare. Berisha importoi plehrat, duke shpërfillur me arrogancë po ata qytetarë që protestojnë sot kundër helmeve. Merret me mend se po të qe në pushtet, Berisha do shpërfillte edhe protestat e sotme, duke i akuzuar egër si antiamerikane. Është fakt që skribët berishistë nuk kanë përtuar të akuzojnë për antiamerikanizëm, deri edhe gazetarë vetëm sepse kanë guxuar të kritikojnë ambasadorin amerikan. Qeveria e re e Ramës nuk e bën këtë. Doni ta quani dobësi? Por unë do ta quaja kufizim, vetëfrenim të një qeverie përballë zërit qytetar. Një raport i ri, që nuk duhet lejuar të rrënohet nga planet revanshiste të Berishës për të restauruar pushtetin e tij të arrogancës absolute.

 

***

Të detyruar t’i thonë JO një oferte të mjegullt dhe të demonizuar nga super rreziqe hipotetike, qytetarët protestuan edhe para dyerve të ambasadës së SHBA, duke i bërë të fërkojnë duart në fshehtësi, të gjithë ata që lusin ftohjen e shqiptarëve (jo thjesht qeverisë së tyre), me SHBA, Europën dhe Perëndimin. Shqiptarëve ju dha të kuptojnë se kërkesa e SHBA për shkatërrimin e lëndëve kimike në Shqipëri, ishte një kurth vdekjeprurës për Shqipërinë dhe brezat e rinj. Kështu SHBA, mbështetësi më i madh i kombit shqiptar në udhëkryqet e historisë, u ekspozua në rolin e varrmihësit të këtij kombi. Berisha pati kujdes që ky panik të shtohej kur pëlliste me të madhe në Parlament, se nuk do të lejohet asnjë kimikat të hyjë në Shqipëri. Patetizëm që të kujton pompozitetet e ish-diktatorit komunist, që i kërcënohej SHBA dhe NATO-s: Larg duart nga Shqipëria!

 

***

Të ndodhur mes mungesës së informimit dhe yshtjes së panikut për rrezikun e apokalipsit, shqiptarët kishin të gjithë të drejtën të bënin atë që bënë. Të dilnin në rrugë dhe të kundërshtojnë një opsion të mjegullt si vetë një re kimike. Dhe me këtë treguan që janë në një fazë emancipimi si qytetarë të lirë, jo më skllevër të rrethanave dhe propozimeve të mjegullta, edhe kur këto vijnë nga një qeveri e re që ata sapo e kanë votuar. Është një leksion për qeverinë e sotme dhe shenja se ndoshta po hyjmë në një fazë të re të marrëdhënieve të shqiptarëve me qeveritë e tyre.

 

***

Në gjakimin për të rrëzuar sa më urgjentisht Kryeministrin e një aleance që e përmbysi nga pushteti me votë masive, duke i prishur planet për pushtet të përjetshëm, Berisha e akuzoi Edi Ramën për “mashtrimin më të madh në histori”. E kundërta është e vërtetë. Është po Berisha që po i rimashtron si përherë shqiptarët. Sepse ndërsa mund të flasim për heshtje të tejzgjatur të qeverisë, por kjo lidhet me faktin që kërkesa për shkatërrimin e lëndëve apo armëve kimike, vinte nga aleati më i madh i shqiptarëve. Vonesa lidhej me dilemën e Kryeministrit plotësisht i ndërgjegjshëm për sfidën, por edhe me nevojën për të qenë i mirinformuar për të. Në këtë dilemë janë të shkrira jo vetëm shqetësimi për karrierën personale të Ramës, sikundër keqkomenton propaganda berishiste. Ky shqetësim nuk mund të mohohet. Sepse të gjithë e dimë stabilitetin që i jep një kryeministri dhe qeverisjeje në Shqipëri, dakordësia me demokracinë më të fuqishme në botë. Por nuk është vetëm kaq pak. Ka në të edhe një vullnet të mirë për të harmonizuar sa të jetë e mundur më shumë, interesat e vendit me ato të aleatit më të madh, që kombi i detyrohet aq shumë. Gjë që ka të bëjë jo vetëm me të sotmen, por edhe me të ardhmen e Shqipërisë në këtë botë, ku miqtë e vërtetë janë ende të pakët. Por, gjithsesi, Rama nuk kishte marrë vendim në fshehtësi siç mashtron Berisha. Gjë që ai vetë, do ta kishte bërë pa asnjë hezitim sikur të qe në pushtet, me një zell të tepruar. Kanë mbetur proverbiale talljet e ekspertëve amerikanë, të ekspozuara nga ëikileaks, mbi gatishmërinë e Berishës për të marrë më shumë ujgurë se i propozohej nga SHBA. Dilema e Kryeministrit, edhe pse e tejzgjatur, ka qenë shenjë përgjegjësie e jo mashtrimi. Të peshosh, edhe pse më gjatë se ç’duhet (këtu duhet parë edhe sesa e qartë apo jo ka qenë oferta e SHBA) është shenjë përgjegjësie. Ky është një tipar i ri i qeverisë së re. Krejt i ndryshëm nga ai i qeverisë “Berisha”, të cilës vetëm shpërthime vrastare si ai i Gërdecit, ia demaskonin në dritën e diellit, aferat e pista dhe korrupsionet. Zhvarrosja e transparencës kishte për kosto varre njerëzish.

 

***

Edhe këtë radhë, Berisha u zvarrit me dinakërinë e një gjarpri. Ndërsa nxiste me doreza panikun kundër sjelljes së lëndëve kimike, ai nuk shpalli publikisht me një “JO” të qartë. Dha të kuptojë se nuk qe kundra, por se donte më shumë transparencë mbi kërkesën amerikane. Berisha tha JO, si një populist i pandreqshëm, vetëm kur shqiptarët u derdhën në rrugë duke bërtitur JO! Dhe nuk duhet harruar se populizmi është fashizmi i kohës tonë. Taktika prej zvarraniku e Berishës, duket e vendosi në një pozitë edhe më të vështirë Ramën. T’u thoshte JO amerikanëve duhej të përballonte sokëllimat e Berishës për kryeministrin bukëshkalë, që shkeli mbi figurën e Uillsonit, që tradhtoi aleatin e çmuar që i dha liri Kosovës! Ti thoshte PO do përballej, sikundër dhe u përball, me akuza se po vriste shqiptarët. Dhe luajtur me një dypafytyrësi të tillë, po del se Berisha (në rolin e tutorit të Bashës) ka mashtruar edhe ambasadorin e SHBA, të cilit, sikundër Arvizu vetë deklaroi, Basha i kish premtuar për një qëndrim krejt tjetër të opozitës për lëndët kimike. A duhet ta quajmë në interes të kombit këtë pabesi të Berishës në marrëdhëniet me aleatin më të madh strategjik të shqiptarëve në botë?

 

***

Shqiptarët janë më të frikësuar se kurrë – deklaronte Jozefina Topalli. E kundërta është e vërtetë. Nën Berishën shqiptarët kishin frikë të flisnin dhe me vështirësi protestonin. Sepse Berisha i vrau në protestë. Topalli ngatërron panikun, që vetë e ushqeu mes njerëzve, me frikën. Protesta e vetvetishme qytetare në portën e Kryeministrisë të ruajtur vetëm nga disa vajza police, është provë e mungesës së frikës nga një qeveri dhe kryeministër që nuk ngjallin frikë me grykën e pushkës. Fakti që Kryeministri Rama, qeveria dhe deputetët e saj, dëgjuan zërin qytetar duke i thënë JO kërkesës së SHBA, është provë e përuljes së qeverisë para qytetarëve dhe jo e qytetarëve para qeverisë. SHBA mund të zhgënjehen, por nuk do të mashtrohen. Ata do kuptojnë se edhe në Shqipëri po krijohet një raport i ri mes qytetarëve dhe qeverisë, ku kjo e fundit i bindet vullnetit qytetar. Kjo është demokracia. Dhe një demokraci nuk mund të mos mbetet aleate e demokracisë më të madhe në botë. Dhe SHBA do ta kuptojnë këtë. Pavarësisht ndarjes në çështjen e lëndëve kimike, shumica e shqiptarëve sot e ndiejnë klimën e lirisë më shumë se kurrë. Brohoritjen e të rinjve para Kryeministrisë, e dëshmuan këtë. Është një klimë lirie, që nuk duhet të lejojmë ta degjenerojnë në kaos, hienat e një regjimi autokratik e të rrëzuar që rreket t’i manipulojë protestat qytetare edhe për t’i shpëtuar ndëshkimit të antikorrupsionit që po afron. Ashtu siç një dekadë më parë, manipuloi protestat antikorrupsion kundër qeverisë së Fatos Nanos, me premtime për të luftuar kuçedrën e korrupsionit. Por që në 8 vite qeverisje, u tregoi shqiptarëve me skandale të përgjakshme, se ajo u bë vetë kuçedra e korrupsionit. Shqipëria nuk do demontojë “armët kimike” të Sirisë. Por që të shpëtojë nga helmimi, ajo duhet të demontojë politikisht Sali Kimikun!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA