“Play-off”: Portugalia e Greqia fitojnë, Franca ko

16/11/2013 01:10

Në ndeshjet e para të “play-off”-eve për kampionatin botëror Brazil 2014, janë shënuar rezultate surprizë, por edhe konfirmime pretendentësh.

Portugalia mposht 1-0 Suedinë në “Da Luz” dhe i afrohet më shumë Botërorit të vitit të ardhshëm. Në Lisbonë, “luzitanët” kontrollojnë lojën, por vuajnë në krijimin e rasteve të pastra për shënim. Ai që vendos takimin, me një goditje me kokë, është Cristiano Ronaldo, i cili në minutën e 83 mposht Isaksson, duke shfrytëzuar asistin e Miguel Veloso.

Të martën, më 19 nëntor, zhvillohet ndeshja e kthimit në Stokholm, me një rezultat që i komplikon jo pak planet e Ibrahimovic me shokë, që synonin të rrëmbenin një barazim në Portugali.

Franca pëson një humbje befasuese dhe i largohet Botërorit të Brazilit, duke u dorëzuar në Ukrainë. Skuadra e Deschamps pëson 2 gola në Kiev, kundër vendasve, që shënuan me anë të Zozulya dhe Yarmolenko. Në të 61-tën, Edmar fton Zozulya-n në aksion, sulmuesi i reziston ndërhyrjes së Koscielny-t dhe me të djathtën mposht Lloris.

Në minutat e fundit ndodh gjithçka: në të 83-tën arbitri akordon një penallti për Ukrainën, pas ndërhyrjes së Koscielny ndaj Zozulya, teksa Yarmolenko nuk gabon në ekzekutim, i ndihmuar dhe nga traversa, 2-0. Më pas, Koscielny kapet sërish me Zozulya me duar dhe ndëshkohet me të kuq. Në minutën e 4 shtesë edhe vendasit mbeten me 10 vetë, pas kartonit të dytë të verdhë për Kucher. Për “gjelat” tashmë nevojitet një përmbysje e madhe në Paris, por 2 gola duken shumë për t’u rikuperuar.

Në Athinë fiton edhe Greqia, 3-1 ndaj Rumanisë, ndërsa një tjetër rezultat surprizë ka qenë ai në Islandë, ku vendasit i kanë rrëmbyer një barazim pa gola Kroacisë. Një pjesë e parë argëtuese në “Karaiskakis”, ku Greqia shënon me Mitroglou (14’), por Rumania barazon me Stancu, pas asistit të Torje. Megjithatë, helenët rikthehen në avantazh në minutën e 21, me Salpingidis. Edhe në pjesën e dytë bëhet protagonist Mitroglou, që shënon golin e dytë personal, me të majtën, dhe të tretin për grekët.

Kroatët hasin vështirësi në të ftohtin e Reykjavikut, ku të zotët e shtëpisë rezistojnë bindshëm, madje edhe në pjesën e dytë, teksa mbeten me 10 vetë që nga minuta e 50, prej kartonit të kuq ndaj Skulason. Ndeshja e kthimit, sërish të martën, në shtëpinë e Modric me shokë.

Top Channel