Një ditë përpara mbylljes së panairit të 16-të të librit, juria e përzgjedhur ka shpallur edhe fituesit e këtij viti.
Ndër çmimet më prestigjoze të dorëzuara ka qenë ai për autorin e vitit, që këtë radhë i shkoi poetes Luljeta Lleshanaku, për vëllimin me poezi “Pothuajse Dje”.
Gjithashtu, çmimi për veprën më të mirë studimore me të cilin u vlerësua akademiku Sabri Hamiti, për librin e tij “Zef Pllumi”, kushtuar personalitetit të rëndësishëm të kulturës sonë, botim i shtëpisë botuese “Albas”.
Çmimi i vitit si autori më i mirë i librit për fëmijë iu dha shkrimtarit më të dashur për të vegjlit, Gaqo Bushaka, për botimin “Pas Festës së Abetares”, me motivacionin se bashkon aftësitë dëfryese me vlerat didaktike.
Në fushën e përkthimit u vlerësua Astrit Beqiraj për shqipërimin e njërës prej veprave më të njohura të Kapushinskit, “Udhëtim me Herodotin”.
Ndërsa Çmimi i Veçantë in memoriam këtë herë i shkoi autores së ndjerë Hida Halimi, për romanin “Shpina”, i vlerësuar nga juria për kthjelltësinë e fshehur dhe origjinalitetin e punës së saj.
Një tjetër çmim in memoriam iu akordua përkthyesit Petrit Sinani dhe shqipërimin nga frëngjishtja të librit të Kamy, “Miti i Sizifit”, një prej kryeveprave të mendimit modern. Çmimi erdhi me mbështetjen e ambasadës franceze në kuadër të 100-vjetorit të shkrimtarit të madh të shekullit të kaluar.
Top Channel