Fatos Baxhaku – Protestat kundër mbërritjes së armëve kimike nga Siria
duhen konsideruar pa dyshim si ngjarja më domethënëse e historisë sonë
të këtyre 20 vjetëve të fundit, mbase duke lënë mënjanë vetë shembjen e
diktaturës, por që tek e fundit ishte një fenomen që u përgatit më së
shumti nga faktorë globalë.
Ndryshe nga shembja e diktaturës, reagimi qytetar shqiptar ishte një kërkesë që buroi dhe u vendos vetëm së brendshmi. Dhe ky është një hap kolosal, jo vetëm sasior për nga pjesëmarrja masive, jo vetëm për rezultatin që arriti.
Jo vetëm, por edhe sepse në këtë mënyrë edhe vetë qeveria e kritikuar nuk kishte më se përse, për herë të parë edhe kjo në këto dy dekadat e fundit, të bënte servilin pa fund dhe rolin e një fukarai, të cilin dikur e paska ndihmuar i pasuri dhe ai duhet të thotë përjetësisht lepe e peqe me dorë në zemër. Në këtë kuptim lëvizja popullore masive e shpëtoi edhe vetë Ramën nga një pozicion fort i vështirë brenda, dhe sidomos jashtë vendit.
Të gjithë i kemi mësuar tashmë pesë kushtet e famshme, të cilat duhet të kalonte Shqipëria për të arritur të sigurojë statusin e vendit kandidat për në BE, një status i ndrojtur, në të cilin të kërkohet të japësh provime të tjera edhe më të vështira. Në fakt, pesë kushtet, a provimet quajini si të doni, ishin pesë provime për politikën dhe shumë pak, ose aspak, për popullin, i cili as vetë nuk i kuptonte edhe aq mirë debatet e rrepta dhe të ndërlikuara politike. Populli, njësoj si qëmoti, priste deri sa të vendosnin të mëdhenjtë, ai nuk e shihte fare veten të përfshirë në këtë “shkollë” të vështirë.
Në ditët e fundit, protesta spontane, entuziaste, e ndershme, paqësore, apolitike, e pakorruptueshme, ku të gjithë ishin të barabartë, tregoi se populli shqiptar e kapërceu politikën dhe pesë provimet e saj me kopje. Ai kaloi me sukses më të madhin, të gjashtin, dhe më të rëndësishmin. Pa dyshim, që ky edhe në sy të BE-së dhe të atij që ne konsiderojmë Perëndim në tërësi, ka qenë sinjali më i madh i lindjes së një populli – dhe i lindjes dhe jo i rilindjes, sepse një popull i tillë kurrë nuk është parë ndër këto troje – që assesi nuk mund të tërhiqet më për hunde, që e ka ndarë mendjen të mos bëjë servilin, por të mbrojë me dinjitet dhe pa u bërë vegël, interesat e veta. Si për çudi ka ndodhur ajo që vetë Rama e kërkonte në fushatë elektorale. Vetëm se ndoshta as ai vetë nuk e priste që kjo të ndodhte kaq shpejt.
Rezultati më i parë pozitiv i ngjarjeve të fundit është se pas këtyre e tutje politika nuk do ta shohë më popullin si turmë që del e vritet thjesht për interesa të saj. Të gjithë, duke nisur nga kreu i shtetit e duke përfunduar te kryetari i komunës më të largët, që sot e tutje duhet t’i bëjnë hesapet mirë, që shumë më parë se t’i pranojnë postet, le më t’u shkojë mendja për ndonjë zullum. Politika mund të ngrejë sisteme, mund të krijojë shumica të pathyeshme elektorale, por për gjëra madhore duhet të pyesë popullin, para të cilit duhet të përgjigjet deri më një. Ngjarjet e djeshme ishin edhe prova se si shumë gjëra, duke përfshirë këtu edhe hyrjen në NATO apo BE, apo edhe dërgimin e djemve tanë në zonat më të frikshme të globit, duhej bërë patjetër me referendum. Propozimi i djeshëm i opozitës për referendum ishte sigurisht i vonuar, sepse ndërkohë ai kishte nisur në rrugët e qyteteve tona, madje edhe kishte mbaruar votimi në një kohë rekord dhe kishte superfituar krahu i Jo-së. Mbrëmë, në orën 17:28, Edi Rama nuk bëri gjë tjetër veçse pranoi rezultatin e këtij referendum.
Ne Perëndimin e kemi parë si nënën e çudirave, si vendin e mrekullive, si një parajsë tokësore, si një vend ku duhet të kishim qenë me kohë, por ja që nuk na kanë lënë të tjerët. Jo më kot ideja jonë për të hyrë në BE në gjuhën e përditshme është “po shkojmë në Europë”, njësoj sikur Durrësi të zhvendosej gjeografikisht drejt Barit dhe Vlora drejt Brindisit, mjafton që t’i hipnin tragetit. Ky lloj qëndrimi, që shpjegimin e gjen në një mijë e një rrethana historike dhe faktorë psikoetnikë që burojnë prej tyre, në shumicën e rasteve ka sjellë një klasë politike servile dhe një popull të fjetur, aq sa lejoi edhe vetë Gërdecin. Kështu, të nxitur edhe nga terma historikë si “ballkanizimi” apo të tjerë koncepte që gëlojnë ende në Perëndim, edhe nga jashtë jemi parë si shejtanë budallenj, të mirë, mikpritës, me zemër të hapur, por njerëz që kalojnë nga cubat te skllavi brenda vetëm pak minutash. Dhe me këtë konceptim shpjegohet edhe propozimi që e vuri vetë Ramën përballë shoqërisë civile, duke e bërë të ndihet mbase në sikletin më të madh të jetës së vet politike.
Një personazh i famshëm i letërsisë popullore bullgare, Baj Gano, një fshatar i modernizuar, përsëriste gjithnjë: Ne jemi europianë, por jo tamam. Ai kishte ndryshuar veshjen, qethjen e flokëve, prerjen e mustaqeve, kishte blerë karrocë e mobilie moderne, madje kishte ndryshuar edhe të ecurën, por edhe vetë e kuptonte se kishte shumë gjëra që mungonin në europianitetin e tij. Të njëjtën shprehje të Baj Ganos kush e di se sa shqiptarë e kanë përsëritur me vete, duke u parë në pasqyrë dhe duke psherëtirë: Ah, paska qenë rrugë e gjatë more miq, fort e gjatë. Njësoj si në Bullgari e në krejt Ballkanin, duke përjashtuar Greqinë mbase, e cila ka një histori tjetër, edhe te ne lindi një racë e veçantë “shqiptari i europianizuar”. Ky bërtiste me të madhe se meqë politikanët e tij tashmë i kishin kaluar pesë provimet e kishte me të drejtë të Zotit që të ishte i barabartë me një gjerman, francez apo danez, ndonëse e dinte fort mirë se ç’kishte diçka që i mungonte. Ai e ndiente veten shqiptar të sajuar si europian, por jo europian shqiptar. Ajo që i mungonte ishte pikërisht provimi i gjashtë, atë që populli, sidomos të rinjtë, e kaluan me notën dhjetë në këto ditë. Pas Jo-së së mbrëmshme, mund të themi me plot gojën se tashmë kemi nisur të shpresojmë se do të kemi shpejt më shumë europianë shqiptarë sesa shqiptarë të europianizuar. Dhe kështu, BE-ja ka nisur të bëhet që mbrëmë vërtet një realitet i prekshëm dhe plot kuptim. Me siguri që edhe andej nga Brukseli, plot vetë kanë nisur ta mendojnë kështu.
Top Channel