Itali, kapet 1 ton marijuanë

16/11/2013 00:40

Një gomone pesë metra e gjatë, dy skafistë të arrestuar dhe një ton marijuhanë e sekuestruar.

Ky është bilanci i operacionit të kryer në zonën e Meledugno, në skajin jugor të Puglias. Dy skafistët u kapën pas një operacioni, që angazhoi mjete detare dhe ajrore, si dhe patrulla këmbësorësh në breg.

Duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, skafistët udhëtonin pa drita dhe kanë kryer disa manovra për t’u afruar në breg, por u ndaluan nga rojet financiare, që në det.

Në gomone u gjetën 370 kg lëndë narkotike, ndërsa gjatë ditës, nga ujërat përreth vendit të ngjarjes, u nxorrën edhe pako të tjera, me një peshë prej 610 kilogramësh.

Nuk dihet nëse marijuana e gjetur në det ishte pjesë e së njëjtës ngarkesë, apo ishte hedhur nga ndonjë mjet tjetër lundrues, që nuk është kapur dot.

Përveç marrjes në pyetje të dy shtetasve shqiptarë, 42 dhe 20 vjeç, po punohet për të zbuluar bashkëpunëtorët dhe destinacionin e drogës. Nëse do të hidhej në treg, ajo do të sillte një fitim prej mbi një milion eurosh.

Operacioni është i disati i këtij lloji në zonë, ku kohët e fundit janë bllokuar sasi të mëdha droge e sjellë nga Shqipëria dhe në ditët e para të nëntorit janë arrestuar dy skafistë shqiptarë për trafikim ndërkombëtar njerëzish.

Top Channel