Aksident në Rrugën e Kombit

16/11/2013 00:00

Një aksident me plagosjen e disa personave ka ndodhur pasditen e së shtunës në Rrugën e Kombit, tek zona e quajtur “Ura e Uzinës”, në aksin Kukës-Morinë.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur 4 persona, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë.

Sipas burimeve, personi në fjalë është dërguar menjehërë në sipatlin e Kukësit. Një prej makinave të përplasura, me targë ‘EU 791 PV’, i përket misionit EULEX në Kosovë, ndërsa makina tjetër është me targa Shkupi, ‘SK 5100 AF’.

Policia po heton për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Për momentin ajo bën të ditur se personat e plagosur janë dy shtetas italianë dhe dy maqedonas.

Në qarkun e Kukësit nga janari i këtij viti kanë humbur jetën në aksidente rrugore 11 persona, ndërsa kanë mbetur të plagosur 16 të tjerë. Gjatë vitit 2012, nga 23 aksidente të regjistruara në Rrugën e Kombit, 18 persona humbën jetën.

Ndërsa në vitin 2011 u regjistruan 18 aksidente automobilistike, me 12 të vdekur e 3 të plagosur rëndë. Numri më i madh i ngjarjeve ka ndodhur në segmentin Kalimash-Kukës-Morinë.

Top Channel