Sokol Balla sjell “Vitin e mbarë”

13/11/2013 00:00

“Sot në mëngjes, gjëja më e vështirë për mua ishte të zgjidhja ngjyrën e kravatës. Në modë është lejlaja, por Rilindja na e rrëmbeu atë këtë vit, në modë është edhe bluja, por sërish do sillja keqkuptime, nëse vija me të kuqen, do thonin që Sokol Balla ka filluar të ecë më shpejt. Ndaj zgjodha ngjyrën e gjelbër. Por në Shqipëri ngjyrat paragjykohen shpejt dhe me siguri Alex Arvizu do të thotë që Sokol Balla e ka vënë kollaren e gjelbër në solidaritet me protestuesit e djeshëm para Ambasadës Amerikane”.

Mes kësaj batute, gazetari Sokol Balla ka prezantuar librin e tij të ri “Viti i Mbarë”, në prani të ambasadorëve, politikanëve dhe kolegëve. Duke u ndalur tek rëndësia e këtij libri, i cili përmbledh ngjarjet më të rëndësishme politike të këtij viti, Sokol Balla ka theksuar:

“Ky libër që promovohet në mes të një debati të fortë për cështjet e armëve kimike të Sirisë, që me gjasë do të cmontohen në Shqipëri, mund të shërbejë si moment reflektimi për politikanët. Një nga arsyet kryesore që solli rezultatin e 23 qershorit, më shumë se sa gabimet apo të mirat e qeverisë së shkuar, ishte, sipas meje dhe jo vetëm sipas meje, shpërfillja e opinionit jo rrallë edhe me arrogancë në vendimmarrje, shpeshherë pa transparencë dhe duke refuzuar debatin publik. Duke perifrazuar shprehjen e një presidenti amerikan, politikanët duhet të kenë parasysh në vendimmarrjet e tyre të mos shohin se sa vlen gjykimi i tyre, por se sa vlen gjykimi i të tjerëve për ta”, tha Balla.

Botuesi  Henri Cili pasi ka prezantuar librin e gazetarit Sokol Balla, e ka cilësuar vitin 2013 një fitore të tij dhe te emisionit Top Story.

“Libri i Sokol Ballës ka 13 intervista dhe shënimet në anekset përkatëse, me shumë spec dhe shumë interes gazetaresk mbi kontekstet e këtyre 13 intervistave që sic e ka shprehur Sokoli vetë, ngjarjet dhe personazhet që shënuan rrotacionin paqësor të pushtetit në vitin 2013, në 13 intervista. Në epilog të kësaj ndarje, unë mund të them dicka, që fitoi Top Story kundrejt Opinion, unë për vetë isha pjesë e Opinion”, tha Çili.

Një koment lidhur me këtë libër ka dhënë dhe Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu, i cili e ka cilësuar Sokol Ballën si një gazetar dhe koleg të shkëlqyer, i cili në karrierën e tij ka treguar vlera të mëdha.

“Zoti Balla është një gazetar i jashtëzakonshëm politik. Ka shumë përvojë dhe në harkun e karrierës së tij ka bërë shumë gjëra. Ka akses të shkëlqyer tek nejrëzit dhe është një analist i shkëlqyer politik. Pavarësisht nëse bie dakort me të ose jo, dhe unë i kam patur të dyja, ai është një koleg i shkëlqyer dhe unë e respektoj jashtë mase”, u shpreh Ambasadori Arvizu.

Libri “Viti i Mbarë” është një përmbledhje e refleksionesh dhe intervistash që gazetari Sokol Balla ka zhvilluar në emisionin e tij Top Story. I ndarë në katër kapituj: Presidenti, Amerikanët, Partia Demokratike, Ramët dhe me një Epilog me Tony Blair, Sokol Balla vjen pranë lexuesve, 100 vjet pas vitit të mbrapsht 1913 me  “Vitin e Mbarë” 2013, me 13 intervista të 13 personazheve dhe prezantohet pikërisht në 13 nëntor.

Top Channel