Serbi-Shqipëri, interes për bashkëpunim

13/11/2013 00:00

Serbia dhe Shqipëria janë të interesuara të intensifikojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat, në veçanti në atë ekonomike e tregtare, me qëllim rritjen e stabilitetit ekonomik në rajon dhe përdorimin më mirë të potencialeve të dy vendeve.

Është ky përfundimi i një takimi të zhvilluar në Tiranë mes kryetarit të Dhomës serbe të Tregtisë, Zeljko Sertiç dhe zv.kryeministrit shqiptar, Niko Peleshi, të shoqëruar secili nga përfaqësues të biznesit.

“Partnerët shqiptarë kanë nënvizuar vullnetin e Tiranës për të realizuar projekte të përbashkëta, sidomos në fushën e infrastrukturës dhe tregtisë, si dhe për të hequr të gjitha pengesat që ekzistojnë në bashkëpunimin dypalësh”, ka deklaruar Sertiç, i cituar nga agjencia e lajmeve “Tanjug”.

Sipas burimit serb të informacionit, ekzistojnë mundësi reale që mes dy vendeve të rritet shkëmbimi tregtar, që aktualisht arrin vetëm 100 milionë dollarë në vit. Gjithashtu, palët janë dakord për të organizuar një forum ekonomik shqiptaro-serb, në pranëverën e ardhshme në Beograd.

Top Channel