Në Shqipëri komponentë, jo armë kimike

13/11/2013 00:00

Eksperti i armëve të shkatërrimit në masë, Charles Duelfer, nuk sheh asnjë rrezik në shkatërrimin e lëndëve kimike siriane në Shqipëri, megjithëse është ky vend që do të vendosë.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ish-këshilltari i posaçëm i drejtorit të CIA-s për armët e Irakut tha:

“Shqipëria ka një histori sa i përket asgjësimit të armëve kimike dhe gjeografikisht ajo është afër Sirisë, vendit ku ndodhen këto lëndë kimike. Ka shumë faktorë që janë në favor të zgjedhjes së Shqipërisë. Nga pikëpamja e komunitetit ndërkombëtar, kjo duket se mund të ishte një ide e mirë për Shqipërinë, politikisht dhe ekonomikisht, sepse shkatërrimi nuk do të bëhej nga vetë Shqipëria. Madje, do të shoqërohej edhe me një burim të ardhurash”, tha Duelfer.

I pyetur për protestat kundër sjelljes së lëndëve kimike në territorin e Shqipërisë, Duelfer thotë se procesi është kuptuar tërësisht gabim. Në Shqipëri – thotë ai – nuk do të eksportohen armë kimike, por komponentët e tyre.

“Ajo që është propozuar, në fakt, është që disa komponentë të këtyre armëve kimike të transportohen në Shqipëri, të çaktivizohen dhe pastaj të hiqen nga territori i saj. Në Shqipëri ende ka mbetje të elementëve kimike të shkatërruara atje më parë. Në këtë rast, vendi mund të nënshkruante një marrëveshje për heqjen edhe të mbetjeve të mëparshme, pasi të jenë çaktivizuar komponentët e lëndëve kimike siriane. Kjo do ta bënte Shqipërinë një vend edhe më të pastër se sa më parë”, shtoi Duelfer.

Eksperti amerikan thotë se Shqipëria ka tre alternativa:

“Me sa kuptoj, për Shqipërinë ka tre alternativa. Ata mund të thonë ‘Falemnderit, por nuk duam të marrim pjesë. Çojini diku tjetër’, dhe në fakt ka vende të tjera ku ato mund të dërgohen. Alternativa tjetër është që Shqipëria të marrë pjesë në vetëm njërën fazë të procesit, në çaktivizimin e komponentit, i cili pastaj të dërgohet diku tjetër për djegie. E treta, në varësi të qeverisë, është që në Shqipëri të ndërtohej një impiant djegieje, i cili mund të shërbente edhe për qëllime të tjera industriale. Por, këto janë çështje sa politike, aq edhe biznesi. Shumë vende kanë impiante djegëse dhe këto janë vende me procese të përparuara industriale, vende që kanë nevojë për asgjesimin e mbetjeve të ndryshme kimike, për të mos dëmtuar mjedisin”, sqaroi Duelfer.

Duelfer thotë se si SHBA-të dhe Rusia kanë aftësinë për shkatërrimin e armëve, por janë ende larg asgjësimit të arsenalit të tyre kimik dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike nuk mund të mbështetet vetëm te këto vende për zgjidhjen e problemeve.

“Atyre që shqetësohen për mjedisin, mund t’u thuhet: Shqipëria bëhet kështu edhe më e pastër nga sa ishte”.

I pyetur për mundësinë e aksidenteve të mundshme në Shqipëri gjatë procesit, ai thotë se në jetë nuk ka garanci, por shanset për të ndodhur diçka do të ishin relativisht të ulët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA