Misioni i BE-së në Tiranë, në bashkëpunimin me Këshillin e Ministrave
organizuan Konferencën e parë Kombëtare për Antikorrupsionin.

Që në fillim, Kryeministri Edi Rama deklaroi vendosmërinë e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit, duke ndërtuar një qasje të re.

“Në radhë të parë qëndron filozofia në këtë betejë dhe filozofia jonë është shumë e qartë, nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin, është sistemi që i korrupton njerëzit. E duke u nisur nga kjo filozofi ne ndjejmë domosdoshmërinë e një reformë të gjithanshme, në të gjitha fushat dhe planet për të bërë të mundur që sistemi të imunizohet nga korrupsioni. Nuk ka asnjë dyshim se kjo nuk është beteja ekskluzive e Qeverisë, por po ashtu nuk ka asnjë ndryshim se pa lidershipin e Qeverisë kjo betejë është thjesht dhe vetëm e pamundur”, u shpreh Rama.

Sipas ambasadorit të BE-së në Tiranë Ettore Sequi kjo konference afirmon seriozitetin e Qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe një përpjekje për të bërë efektive luftën e antikorrupsionit. Sequi kërkoi nga të gjithë aktorët e antikorrupsionit që të vendosen politika të qarta në luftën, pasi t’i kundërvihesh këtij fenomeni nuk është diçka e lehtë.

Të gjithë ministrat e kabinetit Rama shpalosën vizionin e tyre në përballjen me korrupsionin në ministritë që drejtojnë.

“Lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë do të ketë në fokusin e saj çmontimin e murit të pandëshkueshmërisë me qasjen e katër drejtimeve kryesore, ndërgjegjësim, dekurajim, parandalim dhe ndëshkim. Si një masë e menjëhershme lancuam portalin e denoncimeve online ‘stopkorrupsionitnedrejtësi’. Ky portal mundëson dhe sic thonë çdo qytetar dhe shoqërinë civile që do të denoncojë dhe të paraqesë ankesë për çdo gjyqtar, prokuror, nëpunës, Shërbim të Provës, të Noterisë, të Agjencisë së Kthimit të Pronave, pra në të gjithë sistemin e drejtësisë”, tha ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

“Jemi në fazën e përpunimit të një strategjie të plotë dhe integrale për të luftuar dhe parandaluar çdo praktikë korruptive ose potencialin në çdo praktikë korruptive brenda Policisë së Shtetit. Kjo duke filluar nga një ligj i ri që reformon tërësisht Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtorinë e Standardeve në Policinë e Shtetit. Po instalojmë Linjën e Gjelbër, e cila do të funksionojë 24 orë, në 24, 7 ditë të javës, në mënyrë që t’i japim qytetarëve mundësine të komunikojnë drejtpërdrejt me një strukturë brenda Ministrisë së Brendshme, por jashtë Policisë së Shtetit, për të denoncuar dhe për të ndjekur sipas rrugës, ankesën e tyre për mospërmbushje ligji, performancë të dobët, praktika korruptive brenda radhëve të Policisë së Shtetit”, u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Top Channel