“Fëmijët e ngujuar”, mes shtetit joveprues dhe shoqërisë

13/11/2013 00:00

Ndue Dedaj – Organet shtetërore nuk kanë një statistikë precize të
ngujimit, si në rastin kur dikush përfshihet në gjakmarrje, si atëherë
kur dikush tjetër del prej saj.

Pastaj, për seriozitetin e një shoqërie të pjekur, duhet thënë se ka fëmijë të vetëngujuar dhe jo të ngujuar kanunisht, që do të thotë se nuk i ka shtrënguar askush të mbyllen, por janë vetëmbyllur përkohësisht nga frika e ndonjë agresioni nga ana e familjes së dëmtuar, meqë sot disa nuk i njohin as kanun, as ligj.

Dihet tashmë, jo vetëm është thënë, por dhe është e provuar, se me Kanun askush nuk e ngujonte fëmijën për gjak. Pak rëndësi ka, mund të hidhen moralistët apo shoqatistët, njëlloj është. Sigurisht që është dy llojesh, por kjo do të ishte një temë më vete, se nuk janë njerëzit e viktimës që duan të hakmerren mbi fëmijët, jemi ne të tjerët që ua “kujtojmë” këtë me padijen dhe padashjen tonë.

Por të vijmë te thelbi. Thuajse pranohet se shteti nuk ka informacionin e nevojshëm për këtë problem, ama është për t’u përshëndetur fakti që ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, qysh në ditët e para në këtë post është fokusuar te ky problem jashtëzakonisht i ndjeshëm, duke u shprehur se atyre fëmijëve, që më shumë se dija u privohet jeta, do t’u gjendemi pranë.

Ministria e Arsimit do të merret seriozisht me këtë dukuri, ka deklaruar ministrja, duke apeluar për një tjetër rol të komunitetit ndaj çështjeve komunitare e nënkuptuar një tjetër qasje të shoqërisë civile në këtë çështje. Vëreni se çfarë konfuzioni ka. “Lezha, shifra alarmante të fëmijëve të ngujuar”, është një lajm i freskët i datës 29 tetor 2013 në disa media, për çudi pa përmendur asnjë shifër!? Në një tjetër shkrim flitet për “shifra kontradiktore për fëmijët e ngujuar”, ku një vit më parë një nga shoqatat e pajtimit fliste për 900 fëmijë të ngujuar, ndërsa Ministria e Arsimit jepte shifrën 50 të tillë. Përherë shifrat e këtyre organizmave “civilë” janë më të lartë se ato të policisë. “130 fëmijë të ngujuar apo 140 deputetë të tjetërsuar” është titulli i një artikulli tjetër. Më afër së vërtetës na duket gazeta “Shqiptarja.com”, e cila raportonte se në fillim të këtij viti shkollor 32 nxënës të Rrethit të Shkodrës nuk kanë mundur të nisin mësimin për shkaqe gjakmarrje. Sipas misionarëve të paqes që operojnë në këtë qark, fshati Bardhaj ka edhe numrin më të lartë të fëmijëve të ngujuar. “Edhe pse ngujimi i fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare është i ndaluar në Kanun, këta fëmijë e kanë të pamundur të dalin nga shtëpitë, mësimi për ta zhvillohet brenda shtëpive të tyre, ku mësuesit shkojnë për t’u dhënë mësim.” Kjo është Shkodra, rrethina e saj. Këtu është problemi. Dhe këtu të mbetemi, pa përgjithësuar, siç do ta shohim dhe në vijim të këtij shkrimi.

Panorama e fëmijëve të ngujuar, sipas burimeve nga terreni

Për të ndërtuar sadopak një realitet që nuk e kemi të plotë shtetërisht, kemi folur me struktura të Policisë së Shtetit, drejtues të arsimit në qarqet e Veriut, mësues, gazetarë, veprimtarë të shoqërisë civile dhe ja pamja e dukurisë.

Shkodra: Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë, janë 25 fëmijë të ngujuar, nga të cilët njëri në Malësinë e Madhe, si dhe studentë.

Malësia e Madhe: Kadri Ujka, mësues në Koplik, publicist: “Ka pasur një fëmijë që është trajtuar nga “Shansi i dytë”. Shifrat e gjakmarrjes janë fiktive, nuk ka një shifër të saktë, ka spekulim e abuzim. Më shumë se gjakmarrje është një krim ordiner. Janë 2 familje në Koplik dhe një në Grizhë me probleme të tilla. Kurse në Shkodër ka disa, në Kiras.”

Lezha: Sipas drejtorit të DAR-it, Kastriot Kodheli, ka pasur vetëm një rast vitin e kaluar në qytetin e Lezhës, një nxënës i klasës së nëntë, që shkonin mësuesit dhe e mësonin në shtëpi, ndonjëherë merrej dhe në shkollë pasditeve. Tani ai ka shkuar me familjen në emigracion.

Puka: Drejtori i Zyrës Arsimore, Vladimir Kola: “Deklaroj me përgjegjësi se në Rrethin e Pukës nuk ka asnjë fëmijë të ngujuar, vetëm nëse ka ndonjë subjekt që abuzon.” Dhe nga interesimi ynë në njërën nga komunat kështu del, ka pasur dy-tre fëmijë që janë kufizuar për disa javë, kanë munguar apo kanë ardhur të shoqëruar në shkollë, pasi familja e tyre ishte përfshirë në një vrasje për motive të dobëta që mund të çonte në gjakmarrje.

Mirdita: Drejtori i ZA, Viktor Mata: “Për fat të mirë shifra e fëmijëve të ngujuar është zero. Këtë ia kam komunikuar dhe ministrisë.” Ndërkohë që në dy komuna të këtij rrethi kanë qenë dy raste të një vetëngujimi të përkohshëm, por të paraportuara as në organet arsimore, as në komunë.

Tropoja: Sipas punonjësit të ZA-së, Naim Sadiku, në këtë rreth nuk figuron asnjë fëmijë i ngujuar që të trajtohet nga “Shansi i dytë”.

Kukësi: Petrit Palushi, drejtori i Radio Kukësit, shkrimtar: “Janë zona që nuk e zbatojnë gjakmarrjen, ka pasur vetëm tek-tuk raste sporadike, por as nga këto jo që prej 5 vitesh. Ka njëlloj urtësie të çuditshme në këta banorë, vërtet ka sherre, konflikte, por fill ndodhin pajtimet mes tyre. Nuk ka fëmijë të ngujuar në Kukës e Has. Nuk njihet ngujimi i fëmijëve. U interesova dhe në DAR, për të qenë i saktë, e njëjta gjë m’u tha. Por ka disa shoqata pajtimi që spekulojnë.”

Kurbini: Mësuesi i “Shansit të dytë”, Fran Nezha: “Kemi pas dy fëmijë të ngujuar, i kemi mësuar për 6 muaj në shtëpitë e tyre. Është bërë mësim me ta dy-tri herë në javë. Ishte më shumë vetizolim. Ngujime të paqenë do t’i quaja. Ndodhin çudira sot, ngujohet pala e vrarë, me frikën se nuk dihet se nga merr pushka!? Kemi ndërhyrë te pala tjetër, që këta fëmijë të mos pengohen për në shkollë dhe na është thënë se nuk kanë kërkuar që të ngujohen fëmijët!”

Një mësues tjetër na thotë se në njërën nga shkollat jopublike dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, i merrnin me makinë te dera e shtëpisë dhe pas mësimit i çonin prapë aty, jo se kërcënoheshin nga pala tjetër, por familjarët e tyre kishin frikë.

Është fakt se në disa raste, nga frika e gjakmarrjes, fëmijët janë larguar bashkë me familjet e tyre, më së shumti jashtë vendit.

Pajtimi zakonor nuk është më një “institucion” i rendit juridik

Janë 27 nxënës e studentë të ngujuar në Shkodër, nga familjet e rëna nga Dukagjini e të tjerë dhe mjafton kaq që Shqipëria të ngrihet në këmbë kundër gjakmarrjes, jo me parulla e fjalime, por me forcën e shtetit dhe të ligjit. Por është ndryshe kjo dhe ndryshe të stisësh shifra marramendëse të ngujuarish, për përfitime buxhetore, sa problemi i ngujimit të fëmijëve, që nuk e prekim në realitet në përmasat e frikshme që flitet, ngjan më shumë “problem” shoqatash? Në radhët e shoqërisë civile ka organizma që nxjerrin në treg shifra të pabesueshme, që numrin e familjeve të ngujuara e japin për fëmijë të ngujuar?! Dhe shteti e lejon këtë, madje i sodit pajtimtarët që bëjnë pajtime farsë me kamera, ndonjëherë duke u përzier në këtë dhe përfaqësues të shtetit me lëshim vërtetimesh “gjakmarrje” për viza, pa e rrokur thellësisht problemin. Kërkohet akreditim për universitetet dhe nuk u kërkoka “akreditim” për shoqata që kanë të drejtën të ndërhyjnë në jetën njerëzore dhe publike, të bëjnë misionarin e gjykatësin, sipas një tagri të vetëshpallur. E kritikonte pak ditë më parë këtë dhe imzot Rrok Mirdita, argjipeshkvi i Tiranës. Në të vërtetë ka organizma të shoqërisë civile të trajnuara për zgjidhjen e konflikteve që veprojnë sipas standardeve ndërkombëtare të ndërmjetësimit, forume të të drejtave të njeriut etj., që kohë pas kohe kanë pasur sukses dhe në sipërmarrje të tilla, por ama ka dhe shoqata “popullore” me qeleshe që recitojnë parulla pajtimi apo zotohen se do të ndërmjetësojnë që qindra fëmijë të ngujuar të rikthehen në shkollë!? Ku janë këta qindra fëmijë të ngujuar, që pritkan “dorën e ngrohtë” të këtyre organizmave pajtimi? Apo në këtë vend kushdo mund të deklarojë ç’të dojë, pa mbajtur përgjegjësi për ç’thotë e për ç’bën?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA