Çelet Panairi i Librit

13/11/2013 00:00

Ka çelur dyert në mjediset e Pallatit të Kongreseve në kryeqytet panairi i 16-të i librit. Eventi i përvitshëm sjell këtë radhe përpara lexuesve të apasionuar ndaj librit, 94 ekspozues, prej të cilëve 19 nga Kosova dhe 2 nga Maqedonia.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri në fjalën e hapjes evidentoi edhe disa nga problematikat kryesore me të cilat bota e librit është përballur këtë vit.

Theksi u vu tek pirateria e cila po mbyt botimet shqiptare si dhe te rënia e botimeve krahasuar me vitet e kaluar. Gjithashtu rëndësi iu dha edhe problemeve me librat shkollore dhe ekzistencës së shumë varianteve tekstesh në disa prej subjekteve mësimore.

“Duhet të flasim më shumë për librin që lexuesi t’i perceptojë si instrumente të dijes dhe kënaqësisë, sepse ne kemi vite që u biem borive të alarmit. Prej kohësh një politikë e drejtë, nxitëse, vlerash dhe standardesh mbështetëse për librin kanë qenë cështje të ditës. Sot duhet të themi që një politikë e tillë është urgjente. Jemi duke përjetuar faktin e mbylljes së mjaft librarive, jemi në dy vite kur shitjet kanë rënë në përqindje mjaft të dukshme, 20 deri 30 përqind, numri i botimeve gjithashtu është ulur, 1086 deri më sot krahasur me 2866 të vitit të kaluar”, tha Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se kjo është koha kur ne më shumë se kurrë i kthejmë syte nga libri, duke e cilësuar atë si kulturë dhe jo si mall.

“Ministria e Kulturës e mbështet fort panelin se mbështet bindjen e saj që kultura e librit, kultura e leximit ëshë nga ato gjëra që i duhen fort shoqërisë shqiptare, një vlerë që e ka patur dhe që s’duhet ta humbë, madje duhet të ringremë edhe tani që e shohim më të dobët. Angazhimi im për një tryezë të posacme të parashikuar tashmë në programin tonë, për librin si kulturë, dhe jo thjesht si mall, duke përsëritur këtu edhe një angazhim të programit të qeverisë së re, për të krijuar brenda mandatit të saj Qendrën Kombëtare të Librit”, u shpreh Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Panairi do të vazhdojë për 5 ditë deri në datën 17 nëntor. Në stendat e ndyshme gjatë ditëve në vazhdim do të jenë të pranishëm për të promovuar prurjet e tyre të fundit edhe shumë prej autorëve më të njohur në vend.

Top Channel