Cristiano apo Leo, debati Wenger-Beckenbauer

12/11/2013 00:00

Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo janë sërish në garë për çmimin prestigjoz të Topit të Artë. Por kush është më i miri nga të dy?

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger ka përshëndetur avancimin e sulmuesit të Real Madrid, Cristiano Ronaldo dhe mendon se asi portugez ia ka kaluar “homologut” tek Barcelona, Lionel Messi, gjatë sezonit të kaluar.

I pyetur për opinionin e tij në një intervistë në Twitter, Wenger ka thënë: “Është e vështirë, Messi ishte në majë deri tani, por mendoj se vitin e kaluar Ronaldo avancoi. Ai është më atletik”.

Wenger së fundmi bëri të ditur se ishte shumë pranë një marrëveshjeje për të marrë Ronaldon tek “topçinjtë”, para se ai të shkonte tek Manchester United në vitin 2003.

Por ndryshe e mendon legjenda e futbollit gjerman, Franz Beckenbauer, i cili vlerëson se argjentinasi ishte zgjedhja e tij e parë për skuadrën “all-star” Galaxy 11.

Kampioni i dikurshëm i Botës po harton një listë me lojtarët më të mirë të planetit dhe thotë se nuk kishte asnjë dyshim që emri i parë do të ishte ai i Messit.

26-vjeçari argjentinas ishte golashënuesi më i mirë i klubit në ligat evropiane gjatë sezonit të kaluar dhe ka fituar çmime të shumta individuale për kontributin e tij fenomenal në futboll.

Fituesi i Topit të Artë do të shpallet më 13 janar 2014, në një ceremoni që do të mbahet në Zyrih të Zvicrës.

Top Channel