Botërori, play-off, Ibra: Portugalia favorite

12/11/2013 20:05

Ditën e premte, Portugalia dhe Suedia do të luajnë në ndeshjen e parë play-off, në të cilën është në lojë një biletë për të udhëtuar drejt Brazilit.

Ibrahimoviç dhe Cristiano Ronaldo do të jenë dy yjet që do të udhëheqin skuadrat e tyre, por në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, suedezi pranoi se këtë herë nuk është ai favoriti.

“Ndihem shumë mirë në kombëtare, jam i motivuar dhe dua të thyej rekordin e golave të shënuar, për të qenë golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses. Më pëlqen të marr përgjegjësi dhe të bëj një punë të mirë. Megjithatë, Portugalia është një skuadër e fortë, ka individualitete shumë të mira. Pa dyshim që Cristiano do të jetë më i favorizuar për të fituar këtë ndeshje. Do të jetë e vështirë për ne, por kualifikimi në një Botëror është normale që të jetë i vështirë”, deklaroi Ibrahimoviç.

I pyetur për të ardhmen e tij dhe mundësinë që të largohet nga Paris SG, Ibrahimoviç tha: “Në qershor nuk e dija se çfarë do të ndodhte. U takova me presidentin Nasser Al-Khelaifi dhe ai më tha që më konsideronte si futbollistin më të rëndësishëm të projektit të Parisit. Është e bukur të dëgjosh gjëra të tilla. Arritëm në një marrëveshje dhe zgjata qëndrimin tim edhe për dy vjet. Në Paris jam shumë i lumtur, e tashmë jam i kënaqur edhe sepse luaj në një skuadër të madhe”.

Top Channel