Tirana në fund të klasifikimit

11/11/2013 00:00

As ndryshimi i trajnerit nuk solli ndonjë të re te skuadra e Tiranës e cila për herë të parë pas shumë vjetësh prek fundin e klasifikimit.

Një nga donatorët e këtij ekipi, Ndriçim Babasi tregon se gjithcka vjen nga mosimpenjimi maksimal i disa lojtarëve me peshë në skuadër.

“Ne e morëm skuadrën pothuajse në fund të merkatos dhe nuk patëm mundësi të përzgjedhim. Por emrat janë në skuadër, por shoh një mungesë impenjimi të këtyre emrave”, thotë Babasi.

Pakënaqësi ka edhe ndaj trajnerit të ri të Tiranës, Alpin Gallo i cili ende nuk ka marrë një fitore zyrtare si drejtues i bardhebluve.

“Zotin Gallo akoma nuk e shikoj në nivelin e duhur. Nuk po ja gjen gjuhën skuadrës. Kam biseduar me zotin Halili dhe zotin Morina për këtë pjesë”, deklaroi donatori Babasi.

Merkatoja e janarit, sipas Babasit, dhe impenjimi më i madh i grupit të lojtarëve aktual do të sjellë ringritjen e Tiranës. Përsa i përket të ardhmes së tij në këtë klub, Babasi pohon se do të vazhdojë të sponsorizojë Tiranën.

Top Channel