Pirlo-Pogba, yjet që Juventusi mund të humbasë

11/11/2013 00:00

Andrea Pirlo dhe Paul Pogba mbërritën në Torino pa rënduar arkat e Juventusit. I pari ndoshta u la “për i mbaruar” nga Milani, tjetri “kurrë i lindur” nga Manchester United.

I pari shënon nga një goditje standarde me 95 kilometra në orë, i dyti godet fluturimthi dhe topi me 101 kilometra në orë, pasi godet shtylën e majtë të portierit Reina ndalon në rrjetë. Juventus 3 – 0 Napoli.

Fitorja e mbrëmjes së dielë ndaj napolitanëve, me të cilët ndanin vendin e dytë ku protagonistë absolutë u bënë Pirlo dhe Pogba duhet të vërë në mendime drejtuesit bardhezinj. Dy mesfushorët, njëri në perëndim të karrierës, tjetri në ngritje mund të largohen nga Torino.

Fantazisti italian është në përfundim të kontratës dhe bisedimet për rinovimin e saj nuk janë në rrugë të mbarë, ndërsa talenti francez kërkohet nga gjithë klubet e mëdha të Europës, me shifra që ndoshta mund të tundojnë Andrea Agnelli-n për të hequr dorë prej tij.

Juventusi ndodhet në kuotën e 31 pikëve në Serinë A, 1 më pak se sa Roma kryesuese, ndërkohë që mban gjallë shpresat për kalimin e grupit në Ligën e Kampioneve, dhe për këtë i duhen dy fitore, e para ndaj Kopenhagenit në Torino dhe e dyta në ferrin turk ndaj Gallatasarajit.

Top Channel