Këshilli i Kanalit që transmeton seancat e Kuvendit të Maqedonisë nuk ka pranuar kërkesën e grupit parlamentar të PDSH-së për emetimin e fjalimeve të deputetëve shqiptare në gjuhën amëtare.

PDSH për 16 muaj me radhë proteston duke ndëprerë nga një orë seancat në Kuvend, në shenjë pakënaqësie për dublimin e deputetëve shqiptarë nga përkthyesit e Kuvendit.

“Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë. Të jemi të barabartë, si unë deputet që flas gjuhën shqipe dhe ju si Jani Makraduli apo Ilija Dimovski, që flisni në gjuhën maqedonase. Kështu që në mënyrë origjinale, në opsionin televiziv dual 1 të transmetohen fjalimet tona, ndërsa në opsionin dual 2 le të transmetohen përkthimet”, ka deklaruar deputeti Bekim Fazliu.

Gjatë debatit lidhur me kërkesën e PDSH-së nuk kanë munguar polemikat mes deputetëve shqiptarë. “Kjo e drejtë është legjitime e shqiptarëve. Këtë të drejtë po e nëpërkëmbin ata që flasin në emër të frymës së Marrëveshjes së Ohrit. Nëse doni të dini se ç’është fryma e Marrëveshjes së Ohrit, mjafton të dëgjoni sot Nexhat Jakupin dhe Suzana Saliun, pra është mungesa totale e vullnetit të mirë për të konfimuar qenësinë shqiptare në këtë shtet”, ka thënë deputeti tjetër i PDSH-së, Bekim Qoku.

“Ju këtë çështje po e trajtoni për 15 muaj, ndërsa ne çështjen e gjuhës e trajtojmë prej vitit 2002. Ju thoni se kjo çështje është politike, ndërsa themi se është teknike dhe është në zgjidhje e sipër. Qytetarët vlerësuan se BDI-ja flet të drejtën, ndërsa ajo që thoni ju ra në ujë”, është përgjigjur deputeti i BDI-së, Nexhat Jakupi.

Deputetët e PDSH-së paralajmëruan se në të ardhmen do të përdorin edhe forma tjera për të protestuar, deri sa të zgjidhet ky problem që u pamundëson qytetarëve shqiptarë t’i dëgjojnë fjalimet e të zgjedhurve të tyre në gjuhën amëtare.

Top Channel