Arrest me burg për Arben Frrokun

10/11/2013 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Arben Frrokun, 45 vjeç, nën hetim për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Në një seancë të gjatë për njohjen me masën e sigurisë të dhënë në mungesë ndaj Frrokut, gjykata qëndroi në të njëjtin vendim të dhënë kohë më parë në mungesë, atë të arrestit me burg.

Vetë Arben Frroku ka deklaruar në gjykatë se ka patur vërtetë kontradikta dhe mosmarrëveshje me shefin e komisariatit numër 6, por nuk ka marrë pjesë në asnjë veprim që ka shkaktuar humbjen e tij.

Avokati i Frrokut shtoi se Prokuroria nuk ka ndonjë provë që e implikon vetë Frrokun në ngjarje.

Pasi dëgjoi prokurorin, i cili tha se ka prova të qëndrueshme për çështjen mbi të cilën ngrihen dyshime mbi Frrokun dhe mbrojtjen që kërkoi një masë të lehtë sigurie, gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë.
 
Arben Frroku u ekstradua në Shqipëri nga autoritetet greke pasditen e së premtes. Ai dyshohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si një ndër njerëzit kryesorë që është i përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, i vrarë me 12 pluma në prag të shtëpisë së tij më 24 shkurt të këtij viti.

Por, megjithëse organi i hetimit pretendon se e ka gjetur njeriun më të rëndësishëm të implikuar në krim, nuk ka ende asnjë të dhënë për dy personat e tjerë të dyshuar se ndodheshin në automjetin tip BMË nga dhe u qëllua me armë zjarri drejt ish-shefit të Policisë së Kombinatit, Dritan Lamaj.

Arben Frroku u arrestua në Selanik një ditë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa ai asnjëherë nuk ka pranuar që të jetë i përfshirë në këtë akt.

Top Channel