Ilir Kulla, eksperti i çështjeve të sigurisë, si një prej të paktëve zëra që mbështjesin ardhjen e armëve kimike siriane në Shqipëri, në një prononcim për Top Channel ka argumentuar qëndrimin e tij pro këtij procesi.

“Ne jemi pjesë e NATO-s. Konflikti sirian degjeneroi për pak në një luftë globale. Dhënia e kontributit për shkatërrimin e arsenalit kimik është një kontribut për paqen dhe ambjentin, pavarësisht se ambjentalistët janë kundër”, deklaron Kulla.

I pyetur lidhur me rrezikshmërinë e këtij procesi, Kulla ka shpjeguar: “Tani që ne flasim ato nuk janë mbetje, janë armë kimike si raketa apo plumba, që do të çmontohen dhe pjesa kimike do të përpunohet sipas teknologjisë më të avancuar të Aleancës. Shqipëria do të ofrojë dy procese: i pari është përdorimi i porteve për transportin e armëve dhe i dyti vendosja në dispozicion e një pjese të vogël të territorit derisa të vijë teknologjia. Kjo do të bëhet me sukses të plotë dhe do të rrisë kredibilitetin e Shqipërisë në radhët e NATO-s”, nënvizon Kulla.

Duke u ndalur tek bazat ushtarake të përmendura ditët e fundit në media, si më të mundshmet për kryerjen e këtij procesi, Ilir Kulla ka shpjeguar se ky proces mund të kryhet si në Uzinën e Mjekësit, ashtu edhe në Qafë Mollë.

Por ai e ka vënë theksin tek zbatimi i kushteve të sigurisë, të cilat sipas tij do të garantohen nga Shtetet e Bashkuara dhe bashkëpunëtorët e tjerë.

Top Channel