Shqiptarët nuk kthehen më në politikën “Berishiste”

08/11/2013 00:00

ZAMIRA ÇAVO – Historia ka treguar se kur një popull bën një hap përpara
në zhvillimin e tij politik, nuk kthehet më asnjëherë me vullnetin e tij
pas.

Sot të kërkosh apo të pretendosh të ringjallësh sërish politikat berishiste, është jo vetëm tradhti ndaj popullit, por dhe miopi politike, e mbi të gjitha foshnjëri mendimi. Po i kujtoj lexuesit përpjekjet e bëra në fillim të viteve ’90 për të ringjallur Enver Hoxhën në politikë. Dhe atëherë kishte mjaftueshëm njerëz që e dëshironin. Madje ka të tjerë që edhe sot e kujtojnë me nostalgji, por jam plotësisht e bindur se politikat enveriste nuk kthehen më kurrë me vullnetin e popullit! Po kështu dhe politika berishiste! Berishën dhe ekipin e tij, populli i dënoi me votim plebishitar! Askush, madje edhe militantët më ekstremë të Partisë Demokratike, nuk dëshirojnë të ndjekin më kastën drejtuese të kësaj partie. Në një rrjet social, një militant i Partisë Demokratike, i drejtohet në këtë mënyrë grupit të saj parlamentar: “Duhet ta kuptoni se ku jeni katandisur, përderisa populli arrin të votojë ata që ua cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe pronën, por përsëri janë gati, që vetëm ju të mos ju votojnë. A e kuptoni se cili është morali juaj?”

Kur them se berishizmi nuk kthehet më, e kam fjalën se një strategji politike e Partisë Demokratike, e ngjashme me berishizmin, e çon pothuajse në zero aktivitetin e opozitës. Berishizmi e mbështeti politikën e vet në tri shtylla, të cilat e kthyen vendin gati në një situatë kaosi.

Së pari, e mbështeti mbi “besnikërinë” ndaj liderit dhe jo respektin ndaj ligjit e shtetit. Kjo frymë solli si pasojë rrënimin e rolit të shtetit dhe ngritjen e “kultit” të Berishës.

Së dyti e mbështeti në demagogjinë e gjithëkahershme e gjithëpërfshirëse. Kjo demagogji nuk të çon larg në politikë. Shqiptarët e sotëm nuk janë më ata të viteve ’90 që edhe mund t’i mashtroje, pasi nuk e kishin parë “demokracinë në botë”, por sot, demagogjia e shtrirë kaq gjerë u shndërrua në dhimbje dhe humor për njerëzit dhe për vendin në një tragjikomedi!

Së treti, e mbështeti në “klanin” e tij. Familja dhe rrethi i miqve u vërsulën si karkalecat mbi pasurinë e shqiptarëve dhe shkatërruan çdo gjë. Askush nuk pyeti për “publiken”, sepse klani nuk pyet dot për të. Klani është thjesht interes personal! Ndaj sot kur dëgjon z. Basha që duke marrë poza flet për blerje votash në Korçë, nuk ke se si të mos kujtohet 23 qershori dhe avionët e kompanisë “Belle Air”, të cilët u viheshin në dispozicion studentëve që të vinin nga jashtë vendit, me kushtin e vetëm që të fotografonin votën për PD-në! Është shumë shpejt për t’i harruar këto! Ndaj Basha nuk ka as moralin, por as staturën për ta kundërshtuar veprimin e ndodhur në Korçë, që gjithsesi për mua është i pamoralshëm dhe i panevojshëm. Sikur edhe dhjetë herë të bëheshin zgjedhjet në Korçë, sërish do të fitonte Partia Socialiste! Po kështu, të dëgjosh znj. Topalli në recitimet e saj klasike, nuk ke si të mos e marrësh me të qeshur gjithçka thotë, pasi ajo vetë me ekstremizmin dhe mungesën e tolerancës politike, bën pjesë në grupin e rrënuesve të Shqipërisë. Ja pse “nuk ngjit” dot më kjo lloj politike apo ky moral opozitar!

Kur them se shqiptarët nuk kthehen më në politikat berishiste, dua të them se çdo tentativë për t’iu rikthyer në ndonjë formë të re këtyre politikave është e dështuar. “Qeverisjes Rama”, e cila ka premtuar shumë dhe ka krijuar një frymë të madhe shprese, i duhet të justifikojë këtë besim me lëvizje të shpejta, “publike”, transparente dhe ligjore. Mbi të gjitha, na duhet një shtet dhe një frymë popullore në respektimin e shtetit. Kjo frymë duhet krijuar çdo ditë, madje çdo orë, nga të gjitha hallkat e qeverisjes. Natyrisht të vjen mirë që shteti po riorganizohet, që administrata po riformatohet, por njerëzit nuk mund të rrinë dot gjatë në pritje të përfundimit të këtij riformatimi. Sepse pritet punë. Dhe “punë” do të thotë ato që janë “publike” të shihen me përparësi. Arsimi dhe shëndetësia vijnë të parat! Por as te njëra e as te tjetra nuk vihet re lëvizje thelbësore që t’i shërbejë mbajtjes gjallë të besimit! Nëse prona publike është cenuar, nga X apo Y individ, nëse kudo në sektorët e administrimit të publikes paska kaq shumë dëme, përgjegjësia duhet nxjerrë sa më shpejt dhe po kështu ndëshkimi. Nuk është e vështirë të gjesh se ku kanë shkuar pasuritë e shqiptarëve gjatë këtyre viteve. Ndaj duhet bërë rikthimi i tyre në favor të publikes. Gjetja dhe sekuestrimi i këtyre pasurive që na përkasin të gjithëve, por janë në duart e disave, është detyrë parësore e një shteti që premton shtet! Populli votoi pikërisht për të rimarrë veten, pra atë që i takon, për atë që na përket secilit e të gjithëve.

Po kështu duhet transparenca. Dhe transparencë nuk do të thotë shou mediatik, por transparencë publike për thelbin e vërtetë të ngjarjeve apo politikave dhe mbi të gjitha mbi përgjegjshmëritë e marra. Nga ana tjetër, transparenca ka rrezik të shndërrohet në demagogji, kur nuk di ta përdorësh ose e përdor me qëllim gabim. Dëshira për të vepruar e për të treguar vullnetin për Rilindje, nëse nuk mbështetet në profesionalizëm, i anashkalon ligjet. Dhe në këtë rast politikat janë “goditëse” në momentin e parë, por më pas shndërrohen në të zakonshme dhe kur ndodh kështu nuk ka veprime shtetërore, por ka veprime “partizançe”, të cilat sjellin po të njëjtat pasoja si berishizmi: shkatërrimin e frymës në respektimin e shtetit!

Shqipëria sot ka nevojë urgjente për ndihmën e secilit. Sigurisht ndihmën më të madhe e pret nga opozita, e cila nuk duhet të lejojë të përsëriten gabimet që ajo vetë i ka bërë dikur. Por që të arrijë ta bëjë këtë, duhet të riorganizohet nga e para dhe të nxjerrë përgjegjësitë e atyre që e shkatërruan vetë këtë Parti!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA