FBI shqiptare dhe ndonjë pyetje e lehtë

07/11/2013 00:00

FATOS BAXHAKU – Nuk ka asnjë dyshim se ideja për të ngritur një FBI
shqiptare ka të bëjë shumë me një ide të vjetër, asaj të idesë së
marrjes fund të mosndëshkueshmërisë së krimit, sidomos të atij të kryer
prej personave të mbuluar nga velloja e pushtetit, lidhjeve personale,
familjare, farefisnore apo kush dreqi e di se çfarë.

U tha që para zgjedhjeve dhe po thuhet edhe sot, struktura është gati: Ne shumë shpejt do të kemi një Byro Kombëtare të Hetimit të Krimit. Tingëllon bukur, njësoj sikur të shohësh një film ku policët e ndershëm dhe të vetëflijuar përplasen me njerëzit që vijnë nga bota e krimit. Është njësoj sikur të kemi një grup idealistësh që ndeshen në një betejë për jetë a vdekje me të keqen. Puna është se, si çdo hap i tillë i njëmendtë, edhe kjo punë ha disa diskutime, sikurse janë gjërat e tilla të mëdha.

Nuk ka tashmë asnjë dyshim se “FBI shqiptare” është një hallkë shtesë në sistemin e Drejtësisë. Nuk ka asnjë dyshim se në të do të punojnë po ata njerëz që deri më tash kanë punuar në drejtësinë tonë të hallakatur. Nuk ka hije dyshimi se ideja është fort e mirë, përderisa drejtohet kundër së ligës. Puna është, sikurse e thamë edhe ca më lart, se në raste të tilla lindin disa pikëpyetje, të cilave njerëzit që e kanë në dorë duhet sa më parë t’u japin përgjigje.

Le ta nisim që nga emri: superorgani i ri do të quhet Byroja Kombëtare e Hetimit, që është pak a shumë përkthimi i Federal Bureau of Investigation, pra FBI-ja e famshme amerikane. Në këtë rast, dhe nuk është thjesht punë termash, pyetjet që lindin janë: Ç’ne kombëtar? Kombi dhe shteti janë dy koncepte fare të ndryshme. Të paktën kështu thonë edhe partnerët tanë europianë dhe amerikanë. Pyetja tjetër që lind është nëse autorët apo brohoritësit e saj a e dinë vërtet se çfarë përfaqëson ajo e vërteta, ajo “made in USA”. Një fillim i saj ka lindur që më 1908, por më e famshme ajo u bë kur në krye të saj erdhi një personazh i jashtëzakonshëm, që quhej Xhon Edgar Huver (John Edgar Hoover). I famshmi dhe shumë i diskutuari “J.E.H.” ishte një njeri fetar, beqar i bindur, këmbëngulës, i lidhur ngushtë me të ëmën. Ai e drejtoi FBI-në që prej vitit 1924, kur u emërua drejtor i saj dhe deri më 1972, kur dha shpirt nga një atak kardiak. Ishte njeriu që krijoi të parin laborator të mirëfilltë të mjekësisë ligjore, nisi arkivin kombëtar të shenjave të gishtave, arriti që të eliminojë apo të fusë në burg kriminelët më të mëdhenj të asaj kohe, sikurse ishin Xhon Dillinger (John Dillinger) apo Bejbi Fejs Keli (Baby Face Kelly), Bruno Hauptmann, njeriun që u akuzua për grabitjen dhe vrasjen e foshnjës së Lindbergut, njeriut të parë që kapërceu Atlantikun mbi krahët e avionit të tij. Huver ishte një personazh kompleks, ai krijoi një forcë të jashtëzakonshme policore, mbase më të efektshmen në botë. Ai e gjeti punën e tij me 600 punonjës dhe e la me 6000 të tillë. Sot punonjësit e FBI-së numërohen aty rreth 36 mijë. Ai kaloi 8 presidentë të SHBA-së. Pas tij Niksoni propozoi një ligj, që secili prej drejtuesve të kësaj force të rreptë nuk duhej të rrinte më shumë se 10 vjet në post. Edhe ai vetë kishte nisur të kishte frikë nga armata e njerëzve të veshur me kostume gri.

Në kohë të Huverit, FBI u fuqizua aq shumë saqë arriti të rrëmojë deri në palcë të jetës së njerëzve. Tashmë vetë shtypi amerikan ka bërë të njohura ndërhyrjen e saj në jetën private të Çarli Çaplinit, Martin Luter Kingut, të “Black Panters”, aktivistëve afro-amerikanë. Ishte një shembull se si një organizëm që niset për së mbari mund të shndërrohet në një mjet të luftës politike, nëse del jashtë kontrollit të demokracisë së shpallur me të madhe. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë diskutimet për të famshmin “sneak and peak” (futu dhe vëzhgo), një metodë e cila i lejon FBI-së të hyjë në banesat e qytetarëve të thjeshtë, pa u kërkuar sigurisht leje gjatë mungesës së të zotëve të shtëpisë, pa le pastaj për përgjimet që janë një zakon rutinë. Historia dhe diskutimet mbi FBI-në janë një diskutim i gjatë. Më së shumti ato u takojnë vetë amerikanëve. Por meqë drejtuesit tanë të sotëm të rendit kanë barrë mbi supe një barrë të rëndë, atë të pastrimit të Shqipërisë nga krimi, pikërisht duke u nisur nga ky emër dhe nga ky shembull, ne, nga ana tjetër, e kemi për detyrë që t’u kujtojmë do gjëra. Sot “dekalogu” i FBI-së është i përmbledhur në këto detyra: lufta kundër terrorizmit, kundërspiunazhi, lufta kundër krimit informatik, mbrojtja e të drejtave qytetare, zbulimi dhe dënimi i korrupsionit politik, lufta ndaj krimit të organizuar, beteja me krimin e drejtuar nga njerëz me pushtet, lufta kudër krimeve fare të dhunshme, bashkëpunimi me agjenci të ngjashme lokale dhe ndërkombëtare, përmirësimi i teknologjive në luftën kundër krimit në përgjithësi. Jo keq, për SHBA, porse si e ku do të veprojë “FBI shqiptare”? Cili është objektivi i saj kryesor? Ja dhe një pyetje tjetër.

Deri më sot është thënë fare pak për kompetencat e kësaj byroje të luftës kundër krimit. Është thënë, të paktën në shtyp, se misioni i saj kryesor është hetimi i nëpunësve të korruptuar. Fare mirë. Kemi nevojë. Puna është se ne strukturat i kemi pasur të ngritura. Terma të tillë si Prokurori, Polici, Krimi Ekonomik, Task-Forcë, Krimet e Rënda janë bërë tashmë familjare për të gjithë shqiptarët. Me ngritjen e kësaj strukture ku nis njëra dhe ku mbaron tjetra? Nga cili njeri do të varet kjo strukturë? A ka rrezik që ajo të tejkalojë kompetencat? A ka rrezik që ajo të ndërhyjë në jetën private të njerëzve? Dhe më në fund, a ka rrezik që ajo të shndërrohet në një tufë njerëzish enigmatikë që shndërrohen në shërbëtorë të politikës së njerëzve që i kanë marrë në punë? Në Shqipëri, servilizmi dhe teprimi i zellit kanë bërë çudira! Kush do ta kontrollojë këtë strukturë? Ku do të përgjigjet? A mos do të ishte më mirë që t’i bëjmë me eficiente strukturat që kemi tashmë në dispozicion sesa të sajojmë “robokopë” që nuk i kemi?

Na duhet të kërkojmë ndjesë për pyetjet naive që parashtruam më lart. Ndodh gjithnjë kur njerëz që nuk kanë lidhje me krimin merren me strukturat e drejtësisë. Megjithatë, si qytetarë apo si njerëz të shtypit, kemi të drejtë edhe ne të hedhim disa pyetje në letër, duke shpresuar që përgjigjja që do të mbërrijë, të fshijë atë pyetjen që ka nisur të dëgjohet: Po mbase kjo është pjesë e shout të nisur! Shou, sigurisht që duhet, po pastaj?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA