Armët kimike të Sirisë në Shqipëri?

05/11/2013 00:00

Qeveria shqiptare përmes ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati konfirmon për herë të parë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkatërrimin e armëve kimike siriane në vendin tonë.

Lajmi, që prej ditësh qarkullon në mediat ndërkombëtare, pohohet për gazetën franceze “Le Monde” nga shefi i diplomacisë shqiptare, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Paris.

Shkrimi, që mban titullin: “Uashingtoni nxit Shqipërinë të pranojë për shkatërrim arsenalin kimik sirian”, vijon më tej me sqarimin se: “Tirana është kontaktuar javën e kaluar”.

Sipas “Le Monde”, Bushati citohet të ketë konfirmuar se Uashingtoni i ka një qasje me qeverinë shqiptare: “Ne nuk kemi marrë asnjë vendim deri në këtë ditë që flasim. Madje, nuk kemi zbritur të flasim as në nivelin e diskutimeve teknike”.

Shkrimi thotë më tej se shumë vende të tjera, të kontaktuara nga SHBA kanë refuzuar tashmë, përfshirë Norvegjinë që e ka bërë këtë publikisht. Në analizën e saj gazeta franceze thotë se:

“Shqipëria paraqet disa avantazhe, kryesisht gjeografike, çka lehtëson transportimin e stokut përmes rrugëve detare. Përveç kësaj, ajo gëzon edhe njëfarë eksperience të veçantë në fushën e asgjesimit të arsenalit kimik, pasi në 2007 ajo u shndërrua në vendin e parë në botë që shkatërroi tërësisht arsenalin e saj kimik, të grumbulluar gjatë regjimit të diktatorit komunist Enver Hoxha”.

Por, në rastin e arsenalit sirian, sasia e madhe e stokut prej 1.000 tonë agjentësh kimikë dhe 290 tonë armë kimike të deklaruara nga Damasku, që duhen asgjesuar dhe kushtet e sigurisë në Shqipëri paraqesin një sfidë të një shkalle më të gjerë, thotë gazeta franceze, duke shtuar se koha për Uashingtonin po mbaron.

Kalendari i zhvendosjes nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike duhet të hartohet brenda datës 15 nëntor dhe në 30 qershor të 2014 duhet të nisë shkatërrimi i armëve kimike.

“Le Monde” thotë se megjithë optimizmin e Uashingtonit, për momentin qeveria shqiptare, e rezervuar në përgjigje, po përballet me një ekuacion kompleks.

Duke e argumentuar me faktin se qeveria e re mori si vendim të saj të parë ndalimin e importit të mbetjeve dhe nga ana tjetër, duke i vënë përballë kësaj faktin se Shqipëria renditet mes vendeve më të varfëra të Europës, ajo ka nevojë për mbështetje perëndimore.

Duke cituar përfaqësues të shoqërisë civile shqiptare të deklaruar kundër nismës, si Albert Rakipin dhe Blendi Kajsiun, me nëntitullin “Receta e Katastrofës”, “Le Monde” e mbyll shkrimin me ngjarjen tragjike të Gërdecit.

Top Channel