Mbërritja në Tiranë e Presidentit të Greqisë, Karolos Papulias përbën një ngjarje të madhe në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Një vizitë domethënëse, në të cilën për herë të parë mbase pas shumë kohësh, palët shprehën qartësisht ato pengesa që janë vendosur në rrugën e të dy shteteve e njëkohësisht vullnetin për të ngritur marrëdhëniet në një nivel të ri.
Për të gjitha këto, në emisionin e saj të përjavshëm “Shqip”, Rudina Xhunga i ofroi publikut opinionin e një paneli të zgjedhur, së bashku me lidhje direkte nga Athina dhe një sekuencë eksluzive nga intervista e marrë nga “Top-Channel” nga ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Dimitri Avramoupoulos.
I pari mes të ftuarve, ish-ministri i Jashtëm dhe historiani Paskal Milo, së fundmi autor i një libri “Politika e Jashtme Shqiptare”, që trajton gjerësisht raportet e vendit tonë me Greqinë në periudhën e viteve 1912-39, deshi të vendosi menjëherë “pikat mbi I”: “E para që të gjithë duhet të kuptojmë, është që Greqia, ashtu si edhe Shqipëria, ndjekin vetëm interesin e tyre politik, ndaj edhe nëse ka pasur probleme në marrëdhëniet me Greqinë, ato kanë ekzistuar për shkak të këtij interesi politik që nuk është menjëherë i ndryshueshëm nga një vizitë e nivelit të lartë”.
I pyetur për historinë e gjatë të marrëdhënieve të Papulias me Shqipërinë, historiani Pëllumb Xhufi solli në vëmendjen e publikut se “Karolos u shfaq në tokën tonë shqiptare në 1984-n. Për herë të parë atëherë kur erdhi si ministër plotësues, zv/ministër i Jashtëm dhe u paraqit në mënyrë njerëzore sepse takimet e tij zyrtare i paraprinë një takimi jozyrtar, me një mik të vjetër, me aktorin e Teatrit të Fierit Fuat Boçi, me të cilin kishin studiuar së bashku në shkollën fshatit Voshtinë në kufirin grek”.
Në lidhje me prejardhjen e Papulias, i cili përflitet se vjen nga Çamëria, Xhufi përgënjeshtroi: “Jo, nuk di ta them, por mund të them që ka lindur e është rritur në zonë shumë afër, ku shqiptarë e grekë kanë jetuar në një simbiozë të shkëqyer. Pastaj ka ardhur si ministër i Jashtëm, e sqaroi edhe Milo që ka pasur edhe takime me të në cilësinë e ministrit të Jashtëm, e vizitoi Shqipërinë në vitet 1985, e 1987, kur u hoq nga qeveria greke ligji i luftës dhe bëri një vizitë. Pastaj u duk pas 1990-s në cilësi të ndryshme e së fundmi edhe si president. Ka pasur një parahistori edhe kjo vizitë për fat të keq, jo të këndshme, në nëntor 2005, kur ishte parashikuar një takim informal në Sarandë dhe Papulias që ishte nisur u kthye nga rruga kur u informua se kishte një manifestim nga komuniteti çam në vendin ku do të bëhej takimi. ishte një manifestim paqësor, por që gjithsesi ktheu e la një përshtypje jo fort të mirë”.
Në opinionin e Shpëtim Nazarkos, “shteti shqiptar pas periudhës së Zogut arriti më në fund të vëri pikat mbi i në politikat e tij të jashtme, e për herë të parë në fjalën e presidentit u pa qartë ajo që kërkuam, marrëdhënie të ftohta, korrekte e tregtare. Greqia nuk është, s’ka qenë dhe s’mund të jetë aleati ynë strategjik. Traktati më i mirë me Greqinë ka qenë ai i Mbretit Zog. Kishte arsye pasi ishte më i fuqishëm shteti atëherë, kishte diplomatët më të shkëlqyer dhe për shkak të Turqisë kishim bejlerët e pasanikët shqiptarë në një pjesë të mirë të Greqisë Veriut, ndaj e influenconin më shumë se tani. Nga Papulias shoh sinjalin që marrëdhëniet që duhet të zhvillohen të jenë korrekte, e besoj dhe kjo është ideja ime personale që ne duhet të heqim dorë nga vështrimi i historisë si bazë. Greqia s’mund të jetë partner strategjik e kjo vjen nga një vështrim mbi gjeopolitikën”, gjykoi Nazarko.
“Për hir të saktësisë historike”, replikoi Milo në studio. “Nuk ka pasur asnjë traktat të lidhur mes Zogut dhe Pangallosit në atë kohë. Ka vetëm tre marrëveshje, konsullore, marrëveshja për kombësinë dhe e treta për tregtinë e lundrimin, këto të treja të vitit 1926 e kanë histori të gjatë dhe marrëveshja e vendbanimeve nuk u ratifikua nga Greqia pasi nëpërmjet saj njihej ose jo minoriteti shqiptar në Greqi. Dy të parat u ratifikuan e ka një dokumencacion të gjatë në arkivat shqiptar për këtë, diçka që unë e kam trajtuar gjerësisht edhe në libër”.
Paralelisht me bisedën në studio, “Top-Channel” arriti të merrte një intervistë nga ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Dimitris Avramoupoulos, e cila do të transmetohet e plotë në vijim në ekranin tonë.
Megjithatë, në “Shqip”, u shkëput një sekuencë në të cilën ministri i referohet konkretisht ligjit të shumëpërfolur të luftës.
TCH: Zoti Avramoupoulos, një çështje shumë e debatuar është ekzistenca e ligjit të luftës…
Avramopoulos – Ky ligj lufte, nëse ekziston diku duhet të themelohet. Ku bazohet? E do t’iu them se çfarë nënkupton. E para, në vitin 1986, Greqia dhe Shqipëria nënshkruan një traktat paqeje. Është diçka në kundërshtim me njëra-tjetrën që të kesh një traktat miqësie nëse ekziston një gjendje lufte. E dyta, Greqia që në fillim ka ndihmuar Shqipërinë të anëtarësohet në NATO. Bashkëekzistenca në këtë aleancë, automatikisht lë mënjanë çdo gjë e cila do të pengonte bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes aleatëve. E treta, në Parlamentin Shqiptar dhe atë Grek ekzistojnë komisione parlamentare miqësie, pra të gjitha këto tregojnë diçka se ligji i luftës jo vetëm që nuk ekziston, por është shuar fare e i përket historisë.
TCH: Megjithatë, zoti ministër, kjo është një notë zyrtare e Ministrisë së Jashtme Greke e vitit 1999, në të cilën shkruhet se ligji ekziston…
Avramopoulos – Ju analizova që ligji si realitet nuk ekziston, pra nuk ekziston as në mendje e as në politikën tonë. Atë e shuan vitet që kaluan, marrëdhëniet e reja mes vendeve. Nëse do të kishte një ligj lufte, nuk do të kishte një milionë shqiptarë në Greqi, ashtu siç nuk do të kishte as minoritet grek në Shqipëri. Duhet të çbllakanizojmë Ballkanin dhe besoj se e kuptoni çfarë duam të themi. Prandaj, siç thashë më parë duhet të përfundojmë të gjitha këto cështje të cilat dalin dhe duket s’e nxjerrin në pah pengesa….
***
Lidhur me intervistën e Ministrit grek të Mbrojtjes, Avramopulos, pjesë e delegacionit shtetëror që shoqëron Presidentin Papulias, ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Paskal Milo tha se në një pjesë të madhe ndan të njëjtin qëndrim me të, por shtoi se ligji i luftës i Greqisë ekziston ende. Milo tha se gjatë kohës kur ishte Ministër i Jashtëm kishte kërkuar një përgjigjje nga Athina mbi këtë cështje, përgjigjje që kishte qenë: “Pas 10 ditësh nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë më vjen përgjigjja që ligji i luftës ekziston. Kam thirrur Ambasadorin e Greqisë në atë që u habit kur i dhashë këtë dokument në dorë. Pas kësaj, argumenti i Greqisë ka qenë që dokumenti është dërguar nga Drejtoria Juridike pa u konsultuar me Drejtorinë Politike të Ministrisë së Jashtme greke”.
Edhe historiani Pëllumb Xhufi mirëpriti deklaratën e Avramopulos, sidomos pjesën e moskushtëzimit dhe mbështetjes së Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit europian.
“Kjo është shumë e mirëpritur, kjo deklaratë. Por referuar deklaratave të shtetarëve të lartë të greqisë, ish-kryeministri Karamanlis ka deklaruar në parlamentin grek se Turqia, Shqipëria dhe Maqedonia nuk do të mund të bëjnë hapa drejt BE-së dhe NATO-s nëse nuk sillen mirë në axhendën greke dhe kjo ka dalë, me ne ka dalë me marrëveshjen e detit. Por kjo deklaratë e Avramopulos krijon një lloj garancie”, tha zoti Xhufi.
Ndërkohë, në një lidhje direkte nga Athina, korespondenti i Top Channel, Artu Bibe tha se jehona e vizitës së presidentit grek është pasqyruar përgjithësisht me tone pozitive nga mediat greke, të cilat kanë vlerësuar, sipas tyre, mbajtjen larg “të ekstremistëve” në protestën e tyre, referuar protestës së PDIU-së dhe shoqatës “Çamëria”.
Në daklaratën para mediave, Presidenti shqiptar, Bujar Nishani përmendi edhe cështjen e kufirit detar. Ai tha se Shqipëria është e gatshme për të diskutuar mbi këtë cështje.
Historiani Paskal Milo thotë se palët mund të kenë rënë dakort gjatë takimit që përpara mediave të ceknin dhe të mbanin qëndrimet e tyre. Sa për ligjin e luftës, zoti Milo solli për përshkrim të shkurtër të akteve ligjore dhe nënligjore që e ndryshuan atë, deri në gjendjen që është sot:
“Kur u shpall ligji i luftës më 1940, ky automatikisht conte në sekuestro konservative të gjitha pasuritë e shteteve që konsideroheshin armike. Por nëse kjo u hoq me Italinë apo me vendet e tjera, me ne kjo vazhdonte edhe pas Konferencës së Paqes sepse nuk kishim marrëveshje paqeje, sepse vazhdoi të qëndronte pretendimi i Greqisë për Shqipërinë e Jugut, vazhdoi logjika e sekuestros konservative. Më 1947 grekët bënë vetëm një lëshim, për shqiptarët, më saktë për qytetarët shqiptarë me origjinë greke të cilëve mund t’u kthehej një pjesë e pronës nëse do të vërtetonin me akte pronësie në gjykatat greke dhe një të drejtë që të tërhiqnin nga bankat greke rreth 200 mijë dhrahmi në muaj. Por shteti shqiptar për të marrë në dorë valutën e huaj të kohës, përdorte një lloj presioni ndaj minoritarëve grekë, ndaj më 1966 qeveria greke e hoqi edhe këtë klauzolë dhe për të ardhur në vitin 2005 përfundoi afati kohor kur shqiptarët mund të shkonin në Greqi dhe të regjistronin pronat e tyre. Tani më gjithë këto akte ligjore dhe nënligjore që kanë ndodhur dhe me vendimin e Prokurorisë greke që futi në treg pasuritë e shqiptarëve, ky proces sipas palës greke quhet përfundimisht i mbyllur. Tani qytetarët shqiptarë me origjinë greke kanë humbur pronësinë dhe mund t’i drejtohen gjykatave greke dhe Gjykatës së Strasburgut”, tha zoti Milo.
Pjesën e tretë panelit të Shqip iu shtua Artur Dojaka, përfaqësues i Partisë Aleanca Popullore, pjesë e komunitetit çam dhe e koalicionit qeverisës. Ai tha se reagimi i AP-së ka qenë një letër e hapur për Presidentin grek për njohjen e së drejtës së pronës së camëve në Greqi. Zoti Dojaka komentoi edhe protestën e PDIU-së dhe shoqatës “Çamëria”.
“Elementi folklorik është një element që ka mbajtur të ndezur ndjenjat patriotike për dekada dhe të qenurit në një tubim paqësor apo të qënurit në nivele të tjera politike, si Aleanca Popullore që është pjesë e qeverisjes së vendit, i cakton palët në dy detyra të ndryshme, mendojmë që ishte gjithcka e justifikuar”, tha Dojaka.
Në përfundim, historiani dhe diplomati Paskal Milo tha se duhet të gjenden vullnete mes dy vendeve për t’u ballafaquar me çështjen çame.
“Shpresoj që në kuadrin e një fryme europiane, ku Shqipëria po ecën gjithnjë e më shumë, edhe kjo cështje do të ecë përpara”, tha Milo.
Top Channel