Tahir MUHEDINI – Zoti Karolios Papulias, në një takim të viteve të para të tranzicionit, asokohe në postin e ministrit të jashtëm, duke iu referuar problemit çam, i tha homologut Alfred Serreqi se, “këto janë probleme që duhen ballafaquar pas 20 vjetësh, pasi sot ka ende plagë të hapura në shoqërinë greke”.
E pra, sot kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe çështje si ajo e çamëve, e pronave të shqiptarëve, duhen diskutuar dhe çuar drejt zgjidhjes përfundimtare. Edhe shqiptarët nuk janë më ata të vitit 1991: janë anëtarë të NATO-s dhe së shpejti do të bëhen edhe anëtarë të Bashkimit Europian.
Është momenti për reflektim
Kryediplomati grek, zoti Venizellos, gjatë vizitës në Tiranë dhe takimit me homologun shqiptar Bushati, ofroi një qasje jo të drejtë për Çështjen Çame, duke sugjeruar zgjidhjen e çështjes së pronave në mënyrë individuale, nëpërmjet Gjykatës së Strasburgut. Së pari, Çështja Çame nuk është vetëm çështje pronash, ajo është pjesë e një kuadri tërësor të drejtash të dhunuara, përfshi dhe të drejtën e jetës, është çështje e të drejtave të njeriut, që kërkon një zgjidhje kolektive, pra jo vetëm njohje të të drejtave pasurore dhe dëmshpërblimit për pronën e grabitur me dhunë, por dhe riatdhesim të popullsisë së shpërngulur me gjenocid, në bazë të konventave ndërkombëtare. Nuk mund të jetë individuale çështja e dhjetëra mijëra qytetarëve të huaj në territorin e një shteti tjetër. Së dyti, ajo nuk duhet trajtuar vetëm në dimension juridik, sepse nuk është vetëm e tillë. Çështja Çame është çështje politike midis dy vendeve tona, Greqisë dhe Shqipërisë dhe duhet zgjidhur me dialog reciprok politik dhe largpamës, padyshim me praninë e përfaqësuesve të kësaj popullsie. Çështja Çame vjen si rezultat i një qëndrimi absurd të deritanishëm të qeverive greke, por edhe atyre shqiptare, për ta administruar dhe përballuar pa pasione e me realizëm koston politike të zgjidhjes së këtij problemi. Është momenti për reflektime të mëdha si nga shteti i sotëm grek, por dhe ai shqiptar. Është momenti që të merren vendime të guximshme dhe të flaket çdo paragjykim për t’u dhënë fund dilemave dhe përpëlitjeve shpirtërore të dy popujve tanë.
Sikur të mos mjaftonte kjo deklaratë e ministrit Venizelos, vetëm një javë më vonë disa nga diplomatët grekë dhe autoritete të larta greke, në një letër dërguar Kryeministrit Samaras, vazhdojnë ta konsiderojnë si “pjesë të tyre” Jugun e Shqipërisë, që rëndom e cilësojnë “Vorio-Epir”. Ndërkohë që historia provon krejt të kundërtën. Me këto qëndrime shteti dhe qeveria greke po shkojnë më mbrapa akoma sesa paraardhësit e tyre, në fillim të shekullit të 20.
Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe njohës i marrëdhënieve shqiptaro-greke, shpreh keqardhjen time për këto hapa të fundit që do t’i quaja të rrezikshme dhe, duke përfituar nga ky rast, i bëj thirrje z. Papulias të shohë dhe të gjykojë me realizëm Çështjen Çame dhe të drejtat e shqiptarëve në përgjithësi, si kryetar i një shteti që mbahet si një vend i demokratizuar. Ajo që duhet të jetë konstante e pa zigzage dhe si tipar themelor i marrëdhënieve shqiptaro-greke është dialogu bilateral dhe bashkëpunimi për forcimin e vazhdueshëm të tyre. Në realitet, në sipërfaqe ato duken të mira dhe normale disa raste siç kemi dëgjuar të deklarohet nga disa edhe si të “shkëlqyera”. Nga një vëzhgim i kujdesshëm i historikut të këtyre marrëdhënieve do të konstatohet se këto marrëdhënie, për fat të keq të të dy popujve fqinjë, rezultojnë me zigzage të theksuara, me shumë mosbesim se sa të sinqerta, me skena dhe acarime primitive. Në thellësi ato janë me gropa dhe hone të rrezikshme e akoma të pambyllura, të cilat në momente të caktuara nxjerrin mbi sipërfaqe sulfurin e tyre helmues.
Filoshqiptar apo nacionalist grek?
Zoti Papulias, si personalitet me përvojë të gjatë diplomatike, ka dëshmuar se është nga më të emancipuarit grekë, që kërkon të forcojë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve. Madje, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm, ka dhënë shenja se ka vullnetin të shohë realitetin e ekzistencës së Çështjes Çame. Ai ka pasur fatin të vijë në këtë jetë në një nga fshatrat e Çamërisë. Në jetëshkrimin e tij thuhet se ka lindur më 1929 në fshatin Voshtina (sot quhet Pogoniani) pranë kufirit me Shqipërinë. Ky fshat ndodhet në krahinën e Çamërisë dhe dikur banohej nga popullsia shqiptare. (Siç dihet në vitet 1913 – 1945 qeveritë greke dëbuan me forcë popullsinë shqiptare nga trojet e tyre mijëravjeçare. Kështu, qindra bashkëfshatarë të presidentit të sotëm grek u përzunë me dhunë edhe nga fshati i lindjes së tij, Voshtina. Në Voshtinë sipas të dhënave shqiptarët kanë banuar që në shek.XVI, pas përzënies së shqiptarëve myslimanë, në këtë fshat u sollën vlleh dhe “grek” nga Azia e Vogël. Megjithatë, nuk mund të themi se z.Papulias është filoshqiptar. Ai është thjesht një nacionalist grek, që më shumë se pragmatizmin dhe realpolitikën, ka mbështetur deri në fanatizëm interesat greke, shpeshherë të ekzagjeruara dhe pa asnjë bazë historike dhe ligjore. Shpresojmë që në këtë vizitë në Tiranë Presidenti grek të mos jetë një bashkëbisedues i vështirë dhe të ofrojë një qasje dhe këndvështrim realist në marrëdhëniet Shqipëri – Greqi, si dhe në çështje të mbetura pezull, siç është Çështja Çame e cila, siç ka deklaruar ministri ynë i Jashtëm zoti Bushati, tashmë është pjesë e dosjes diplomatike shqiptare.
Ballafaqimi i parë shqiptaro-grek në nivel ekspertësh
Karolos Papulias gjithnjë ka qenë çelësi i zhbllokimeve të marrëdhënieve të krizave të ngrira të politikës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Atij i takon merita se ideoi në fillim të viteve 1980 heqjen e ligjit të gjendjes së Luftës me Shqipërinë, por ky ligj nuk u miratua nga Kuvendi i Greqisë. Tre vjet pas hapjes së Shqipërisë, më 3 maj 1994, në ”Hotelin Eden au Lac” në Zyrih të Zvicrës u zhvillua takimi Serreqi-Papulias, ku u rrok si temë bisedimi edhe Çështja Çame, çka do të shënonte atë që mund të cilësohet si uverturë e “ballafaqimit shqiptaro- grek me Çështjen Çame në nivel ekspertesh”.
Ministri i Jashtëm grek z. Papulias u shpreh se “Për problemin çam dua të bëj një vërejtje…Dua të bëj një diferencim historik. Populli shqiptar dhe minoriteti grek kanë luftuar për çlirimin e Shqipërisë kundër fashizmit dhe nazizmit. Kurse çamët bashkëpunuan me pushtuesit kundër çlirimit të Greqisë. Unë këtë e di mirë se kam qenë 14 vjeç dhe kam luftuar në ato anë. Ekziston problemi i pronave dhe besoj se e mbani mend se kam thënë që shërbimet e të dyja ministrive të Jashtme të studiojnë këtë problem”. Ministri i Jashtëm shqiptar, z. Serreqi, kundërshtoi këtë opinion që fyente çamët dhe e cilësoi si jo real atë, si një qëndrim që nuk bazohej në realitetin historik të së vërtetës së ngjarjeve. “Nuk e vë në dyshim se ashtu si në radhët e grekëve – replikoi z.Serreqi, …edhe midis çamëve, të cilët gjithashtu luftuan kundra okupatorëve, ka pasur bashkëpunëtorë. Dihet historia. Nga Greqia ikën ata që bashkëpunuan me italianët dhe ata që deshën të vendosnin komunizmin. Tani kanë kaluar të paktën dy gjenerata, është absurd të ngulësh këmbë në mënyrë të tillë, domethënë të përvetësosh teorinë e luftës së klasave të zhvilluar gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Akuza nuk qëndron për të gjithë çamët, por edhe në kohë ajo s’mund të zbatohet. Qëndrimi që mban qeveria greke sot nuk mund të mbahet”. (Këtu është vendi të bëhet një parantezë: deklaratat e vitit 2008 të historianëve grekë, prezantuar në Universitetin e Pantios në Athinë, me fakte të bazuara nga dokumentet dhe filmime të kohës, dëshmojnë falsitetin e qëndrimit zyrtar grek dhe hedhin dritë mbi pafajësinë e çamëve dhe pohojnë implikimet e minoritetit grek me pushtuesit kundër shqiptarëve). Por një vit më vonë ndodhi një zhvillim tjetër, i papritur.
Papulias – Serreqi dhe Komisionet e Përbashkëta
Në vizitën e tij zyrtare në Tiranë, më 13-14 mars 1995, Zoti Papulias, në takim me homologun e tij, z. Alfred Serreqi, pranoi ekzistencën e Çështjes Çame. Me insistim të ministrit shqiptar të Jashtëm, z.Papulias pranoi diskutimin e çështjes së pronave të çamëve në nivel ekspertësh, në kuadër të Komisionit dhe nënkomisioneve të përbashkëta shqiptaro-greke, për trajtimin e problemeve që ekzistonin midis dy vendeve. Nën udhëzimet e dy ministrave të Jashtëm u ngritën këto komisione dhe u realizua takimi i parë në Tiranë i nënkomisionit Juridik dhe Konsullor në nivel ekspertësh, ku u diskutuan pretendimet pasurore të të dyja palëve. Pala shqiptare trajtoi çështjen e zgjidhjes së pretendimeve pasurore të shtetasve shqiptarë të bllokuara nga i ashtuquajturi “ligji i luftës”, për të cilën pala greke pranoi se ka kthyer disa pasuri dhe do të shihte më konkretisht, rast pas rasti, pretendimin e dokumentuar nga ekspertët shqiptarë. Në lidhje me çështjen e pronave të çamëve, si çështje që nuk ka të bëjë aspak me “ligjin e luftës” e që u trajtua nga të dyja palët si pretendim i veçantë, pala greke fillimisht tentoi të acarojë artificialisht situatën, duke u shprehur në kundërshtim me direktivën e dhënë nga dy MJ, se “po të diskutohet për një çështje që nuk ekziston ne mund të tensionojmë marrëdhëniet përsëri”. Pala shqiptare, me gjakftohtësi, nuk ra pre e këtij provokacioni, por me maturi dhe me fakte e dokumente autentike greke e rrëzoi akuzën e përfaqësuesve grekë ndaj çamëve. Për herë të parë në këtë takim është deklaruar përfundimisht se çamët qëndrojnë në historinë e tyre të pafajshëm dhe ndaj tyre ka vetëm akuzë politike. Pasi palës greke iu paraqitën fakte kokëforta, iu kërkua miqësisht një pozicionim i qartë për kthimin e të drejtave pasurore të çamëve për çka u ra dakord për një takim të ardhshëm.
Mos u trembni nga shoqata “Çamëria”
Çuditërisht nuk ka pasur më pas një zhvillim të ri pozitiv në zgjidhjen e një problemi të pranuar nga të dyja palët si ekzistues, por siç dëshmohet edhe sot ka një kthim të rrezikshëm mbrapa në qëndrimin e injorimit dhe vazhdimit të mbulimit të problemit të të drejtave të njeriut me të gjitha përmasat humane të tij, hapa të cilat janë jo të sinqerta dhe nuk ndihmojnë marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe dy popujve. Për të sjellë në vëmendjen e opinionit është ngjarja e 1 nëntorit 2005, kur Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, do të takohej me homologun shqiptar, Alfred Moisiu, në Sarandë. Papulias kërkoi që më parë të shkonte në konsullatën e Gjirokastrës, por në hyrje të saj protestues të shoqatës “Çamëria” kishin vendosur parulla dhe thërrisnin për të drejtat e tyre. Papulias e interpretoi këtë si një provokim dhe anuloi takimin me Moisiun në Sarandë. Zoti Papulias u detyrua të bëjë kështu një nga gjestet më të paprecedentë, aspak miqësor dhe diplomatik: atë të rikthimit në “mes të rrugës” nga një vizitë e cilësuar miqësore. Papulias ra në kurthin e asaj fryme dhe veprimi grek të njohura si “qarqe apo segmente shoviniste greke”, frymë që ka brejtur dhe po i bren vazhdimisht vlerat e vërteta civilizuese greke dhe ka dëmtuar rëndë miqësinë e vërtetë shqiptaro-greke. Pikërisht kjo frymë projektoi, masakroi dhe dëboi nga vatrat e veta, me dhunë e gjenocid të paparë, shqiptarët e Çamërisë, një nga popullsitë më të vjetra të atyre trojeve.
Nuk kishte asnjë shenjë dhe arsye që z.Papulias ta ndiente veten të pasigurt në Sarandë, ku e prisnin përveç autoriteteve më të larta shqiptare, edhe përfaqësuesit e një populli paqësor, nga më të vuajturit dhe më të diskriminuarit në Europë, çamëve martirë.
Por, siç u komentua nga të gjithë, ajo ishte një ngjarje e inskenuar, që u përdor si pretekst diplomatik, nga ku qarqet shoviniste morën shkas, për të ngritur dhe fajësuar çamët, të cilët propaganda greke menjëherë i cilësoi si ekstremistë.
Z.Papulias ende nuk ka sqaruar nëse ishte frika nga tubimi paqësor që e detyroi të kthehet nga rruga pa mbaruar punë, apo dëshmia e ekzistencës së problemit çam, për të cilin ndoshta në ato moment nuk ka qenë i përgatitur për të dhënë një përgjigje të prerë.
Filozofia çame në marrëdhëniet shqiptaro-greke
Epoka e nisur e integrimit europian, e miqësisë dhe e paqes çon vetvetiu në zgjidhjen e Çështjes Çame. Sa më shpejt që të pranohet kjo, aq më mirë do të jetë për Athinën Zyrtare, por edhe për të dy popujt me lidhje të vjetra historike. Historia ka dëshmuar se shqiptarët e Çamërisë, kanë qenë dhe kanë dhënë kontributin e tyre në konsolidimin e një shteti grek. Ndaj marrëdhëniet shqiptaro-greke kërkojnë një trajtim tjetër nga ai i deritanishëm.
Tani që është në fuqi edhe një rezolutë për Çështjen Çame, është formësuar një qëndrim zyrtar në politikën e jashtme të shtetit në marrëdhënie me Greqinë, duke u përballuar me të gjitha elementet përbërëse të këtyre marrëdhënieve të trashëguara nga e kaluara e tyre.
Nga ministri ynë i Jashtëm, zoti Bushati, siç e pamë gjatë vizitës së zotit Venizelos, është vënë në dispozicion një formulim preciz dhe korrekt i trajtimit të Çështjes Çame mbi taktikën dhe strategjinë që duhet ndjekur deri në zgjidhjen përfundimtare e plotësuar kjo me dokumente të rëndësishme. Diplomacia shqiptare dalëngadalë po rikonturon dhe pozicionon vetveten për Çështjen Çame dhe po përgatitet seriozisht për ballafaqimin e madh.
Çamëria dhe banorët e saj të lashtë janë gur themeli i pazëvendësueshëm i këtyre marrëdhënieve mijëravjeçare dhe gur themeli që nuk injorohet dot. Koha do të dëshmojë se marrëdhëniet shqiptaro-greke kishin dhe kanë nevojë për ketë kontribut dhe këtë filozofi çame, si një tregues i shkallës së emancipimit të këtyre marrëdhënieve.
Ne 5 deputetët çamë të PDIU-së na pret padyshim një betejë e madhe politike e diplomatike, duke i kërkuar shtetit shqiptar dhe atij grek që përpara se të jenë partnerë në rrugën e integrimit europian, të plotësojnë detyrimin e tyre ndaj çështjes çame. Çamëria pret zgjidhje!
* Deputet i PDIU-së në Kuvendin e Shqipërisë
Top Channel