Superiore, Kukësi gjen fitoren në Laç

03/11/2013 18:00

Kukësi rikthehet më në fund te fitorja dhe këtë e arrin në Laç, pasi mundi vendasit me rezultatin 2-1.

Edhe pse kaluan të parët në avantazh, me Tanushin, vendasit nuk kanë arritur ta mbrojnë rezultatin deri në fund, pasi Çikalleshi barazoi në minutën e 79, ndërsa kapiteni i Kukësit shndërroi në gol një 11-metërsh në minutat shtesë të ndeshjes.

Surpriza tjetër e kësaj fundjave është skuadra e Bylisit, e cila mori 1 pikë në “Loro Boriçi”. Sfida mes Vllaznisë dhe ballshiotëve përfundoi në barazim 1-1, një rezultat ky që i shërben Bylisit t’i shkëputet sadopak zonës së ftohtë të klasifikimit, ndërkohë që shkodranët mbeten 2 pikë larg vendit të dytë.

Golin për mallakastriotët e shënoi Bekim Kuli, ndërsa ai për Vllazninë u shënua nga Bushiç, në minutën e 80.

Java e dhjetë nisi të premten me takimin mes Teutës e Kastriotit, të fituar nga krutanët 2-1, vijoi të shtunën me fitoret e Flamurtarit, Lushnjes dhe Skënderbeut, respektivisht ndaj Tiranës 2-0, Besës 1-0 dhe Partizanit 3-0.

Top Channel