Në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga zëvendës/kryetari i KLD-së, Elvis Cefa, është liruar nga detyra si kryetar i Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, pak ditë pasi “Fiks Fare” transmetoi një nga skandalet më të mëdha në drejtësi.

Por, pavarësisht se ka pranuar video-skandalin, KLD ka votuar vetëm për largimin e Lleshit nga drejtimi i Gjykatës së Pukës dhe as që e ka diskutuar fare çështjen e shkarkimit të tij edhe si gjyqtar.

Një vendim ky, që nuk do të kalojë pa polemika dhe pa të tjera akuza, për mënyrën se si funksionon Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe si vepron ai me rastet e gjyqtarëve të denoncuar për afera korruptive.

14 anëtarë të KLD-së kanë votuar për largimin e tij nga detyra si kryetar i Gjykatës së Pukës, në një kohë që vetëm një anëtar ka qenë kundër. Jo sepse ai ka mbrojtur gjyqtarin, por sepse e ka quajtur vendimin për lirimin e tij nga kryetar, si një nonsens ligjor.

Anëtari i KLD-së, Sokol Çomo, e shpjegoi votën kundër me argumentin se gjyqtarit Shtjefën Lleshi i ka mbaruar mandati si drejtus i Gjykatës së Pukës prej një viti e gjysmë. Këtë drejtues, praktikisht e ka larguar ligji prej një viti e gjysmë, unë nuk kam çfarë të votoj – mësohet të ketë thënë anëtari Çomo.

Në këtë gjykatë, ka ndodhur ajo që po ndodh me disa gjykata të tjera, ku në krye të tyre ka drejtues që u ka përfunduar mandati, e për pasojë ata nuk dëgjohen.

Mësohet jo-zyrtarisht se në këtë mbledhje është kërkuar që ajo të zhvillohet me dyer të hapura, aq më tepër kur ajo ndodh për shkak të denoncimit të aferave korruptive në drejtësi në emisionin “Fiks Fare”.

Megjithatë, kjo kërkesë nuk është marrë aspak në konsideratë, e për pasojë mbledhja ka vijuar pa praninë e medias.

Anëtari i KLD-së, e po ashtu kryetar i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij në këtë skandal, duke shpjeguar se nuk ka aspak lidhje me përmendjen e emrit të tij nga persona të panjohur prej tij, e për këtë Zaganjori ka kërkuar hetime të shpejta dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë.

Ndërkohë, kreu i KLD-së, presidenti Bujar Nishani, deklaroi se përmes angazhimit të medias u bë prezent një akt korruptiv, i cili prezanton anën më të errët për një prokuror dhe gjyqtar në sistemin e drejtësisë.

Ngjarja – tha kreu i KLD-së – meriton një hetim penal dhe paralelisht një hetim administrativ, por presidenti pyeti: A është e drejtë, si 1 rast, 10 apo 20 raste, që mund të jenë të korruptuar në sistemin gjyqësor, të përdoren nga politika për të sulmuar sistemin e drejtësisë?

KLD, në njoftimin zyrtar në përfundim të mbledhjes, deklaroi se e konsideron serioze situatën e krijuar në Gjykatën e Pukës dhe se dënon fuqimisht çdo lloj praktike të kundraligjshme dhe korruptive.

***

Në orën 17, Këshilli i Lartë nisi mbledhjen e jashtëzakonshme pas rastit
të denoncuar në emisionin investigativ “Fiks Fare””, ku shfaqen të
implikuar në afera korruptive për ndryshimin e një mase sigurie që nga
sekretarja gjyqësore, kancelarja, një oficer i policisë gjyqesore,
prokurori dhe gjyqtari i çështjes.

Zhvillimi i kësaj mbledhjeje u kërkua jashtë rendit të caktuar në kalendarin e KLD-së nga zevendës/kryetari Elvis Cefa.

Në këtë takim të jashtezakonshëm po diskutohet nga anetaret e KLD për lirimin nga detyra të gjyqtarit Shtjefën Lleshi, i përmenedur në videon “Fiks Fare”, se kishte kërkuar një shumë të caktuar parash për të ndryshuar një masë sigurie.

Bëhet e ditur se nuk dihet ende nëse vetë gjyqtari i lakuar do të jetë apo jo i pranishëm në këtë votim, i cili pritet të zhvillohet pa pranine e kamerave.

Aktualisht, kjo çështje është nën hetim nga njësia “Task-Force” në Prokurorinë  e Tiranës, e cila ka sekuestruar pamjet filmike në të cilat shfaqen aferat korruptive.

Top Channel