Shkëputet Skëndërbeu, krizë tek Tirana-Partizani

02/11/2013 00:00

Skëndërbeu mori i vetëm kryesimin e Superligës, pasi mposhti lehtësisht Partizanin, në kryendeshjen e javës së dhjetë të zhvilluar në Korçë.

Kampionët në fuqi dominuan sfidën dhe realizuan dy herë me Pejiç e një herë me Ribaj, ndërsa Partizani arkivoi humbjen e tretë radhazi që pas suksesit në derbin me Tiranën.

Humbjet e njëpasnjëshme ndaj Vllaznisë, Lushnjës e Skëndërbeut, duket se ridimensionojnë objektivat e skuadrës së kuqe, që përfshihet, ashtu si ekipi tjetër kryeqytetas i Tiranës, në një krizë rezultatesh.

“Rokada” në krye të stolit të Tiranës nuk i ka shërbyer bardhebluve për të dalë nga situata e vështirë e klasifikimit, ndërsa bardheblutë morën një goditje të fortë më parë gjatë ditës, me humbjen e pësuar përballë Flamurtarit në “Selman Stërmasi”.

Në një ndeshje mes dy skuadrave në nevojë urgjente për pikë, vlonjatët u treguan më të saktë dhe vendosën gjithçka në pjesën e dytë të takimit, falë dygolëshit të Zeqirit, njëri prej të cilëve me penallti.

Nga ana e saj, Lushnja vazhdon të mbetet surpriza e këtij kampionati, ndërsa lagunarët kaluan edhe përmbi Besën e vendit të fundit, me një fitore minimale në shtëpi.

Mbyllin javën e dhjete dy takime të së dielës, Laçi-Kukësi dhe Vllaznia-Bylisi.

Java e dhjete
Të premten
Teuta-Kastrioti              1-2
Të shtunën
Tirana-Flamurtari           0-2
Lushnja-Besa                1-0
Skëndërbeu-Partizani     3-0
Të dielën
Laçi-Kukësi
Vllaznia-Bylisi

Renditja  
Pikë    Skuadra
22    Skëndërbeu
19    Teuta
16    Vllaznia
15    Lushnja
14    Partizani
13    Laçi
12    Kastrioti
11    Flamurtari
10    Bylis
10    Tirana
9      Kukësi
8      Besa

Top Channel