“Emigrantët tani jemi ne”. Është kjo ideja qëndrore e një shkrimi që ze
një faqe të plotë në gazetën prestigjoze ‘La Repubblica’.
Në të rrëfehen italianët e Shqipërisë, vend një orë larg ku siç tregon një prej të intervistuarve “mund të rilindësh”. Profili i atyre që për shkak të krizës apo thjesht sepse nuhasin mundësi të reja është gati i papritur : mosha 20-50 vjeçare, kryesisht nga veriu i Italisë.
Fillimisht ishin sipërmarrës e specialistë në fusha të ndryshme, mjekë, avokatë apo arkitektë. Ndërsa tani Shqipëria po tërheq edhe saldatorë, mekanikë, mjeshtra ndërtimi apo guzhine. Për sa i përket numrit të emigrantëve italianë në Shqipëri, shkrimi flet për një komunitet prej rreth tre mijë personash, shifër që parashikohet të dyfishohet në dy-tre vitet e fundit.
Italianët emigrojnë në Shqipëri për të përfituar nga lehtësimet fiskale dhe krahu i lirë i punës, në një vend ku italishtja është shumë e përhapur. Shpesh ata ndihmohen nga të njohur shqiptarë, jo rrallë bëhet fjalë për emigrantë shqiptarë me banim prej vitesh në Itali. Edhe mes tyre ka shumë që kthehen në atdhe për të përfituar nga mundësitë e reja. Tani që kujtimi i eksodit masiv shqiptar drejt brigjeve italiane është vetëm një kujtim i të shkuarës.
Top Channel