Benitez: Barca dhe Real mund të fitojnë LK

02/11/2013 00:00

Trajneri i Napolit, Rafa Benitez ka deklaruar se Barcelona dhe Real
Madrid janë konkurrentë seriozë për titullin e Ligës së Kampioneve këtë
sezon.

Benitez beson se të dyja ekipet do të japin maksimumin deri në fund të sezonit, pasi kanë filluar të mësohen me stilet e trajnerëve të rinj, Gerardo Martino dhe Carlo Ancelotti.

“Nuk mendoj se skuadrat ishin në nivelin më të mirë në ‘El Clasico’, por ato kanë aq shumë cilësi saqë është vetëm çështje kohe derisa të përshtaten me stilet e reja të trajnerëve të tyre. Nuk kam dyshim se Barca dhe Madridi do të jenë dy kandidatë për finalen”, ka thënë Benitez për “Efe”.

Trajneri Martino është i prirur ta largojë Barcelonën nga stili “tiki-taka” i Pep Guardiola drejt një modeli sulmi më direkt dhe më të unifikuar këtë sezon. Dhe Benitez mendon se argjentinasi po bën një punë fantastike për implementimin e metodës së re, duke arritur rezultate.

“Nëse them se nuk më pëlqejnë skuadrat që shënojnë gola dhe fitojnë do të gënjeja. Pastaj, pas gjithë trofeve të fituara, Barca e ka të vështirë të ruajë nivelin. Martino është një trajner që vjen nga një kontinent tjetër. Ai ka sjellë lojtarë të rinj dhe mendoj se po bën një punë të mirë”, ka shtuar Benitez.

Top Channel