Roma në histori, rekord me 10 fitore radhazi

01/11/2013 03:00

Fitore historike për Romën në “Olimpico” kundër Chievo-s.

Të besuarit e Rudi Garcia-s arrijnë të mposhtin 1-0 kundërshtarët e drejtuar nga Sannino, sigurojnë fitoren e 10 radhazi në këtë fillim sezoni dhe thyejnë rekordin e Juventusit të Fabio Capello-s, në sezonin 2005-2006.

Në pjesën e parë, verdhekuqtë vuajnë prej presingut të veronezëve, por në minutën e 68 kalojnë në avantazh falë një goli të Borriello-s, i cili devijoi në portën kundërshtare një krosim të ardhur nga Florenzi.

Asnjë “gafë” e mundshme. “Halloëeen”-in, kryeqytetasit e drejtuar nga francezi Garcia e festojnë në mënyrën më të gëzueshme të mundshme.

Roma e ish-teknikut të Lilles në Francë vazhdon të mos njohë pengesa dhe hyn në historinë e Serisë A. Në 10 ndeshje të luajtura, po kaq të fituara, një bilanc ky tepër i frikshëm dhe që ngre trajnerin francez në “Olimpin” e kampionatit italian.

Francezi po i dhuron Serisë A një skuadër gjithnjë e më solide dhe bindëse, një përzierje perfekte mes teknikës, organizimit të lojës, grintës dhe vrapimeve në fushë.

Pa Totti-n, Gervinho-n dhe Maicon, kundër Chievo-s verdhekuqtë zhvillojnë një ndeshje që vështirë se mund të harrohet. Pavarësisht se nuk shkëlqyen aq shumë sa në javët e kaluara, të besuarit e Garcia-s mbajnë kontrollin e topit dhe të japin përshtypjen se mund të rrezikojnë në çdo rast të mundshëm.

Strootman, De Rossi dhe Pjanic dominojnë mesin e fushës, ndërkohë që në prapavijë, Castan dhe Benatia nuk lënë hapësira. Në sulm, Marquinho, Borriello dhe Ljajic provojnë të çojnë deri në fund të gjitha përpjekjet e bëra nga Dodo dhe Torosidis.

Top Channel