“Filmi më i mirë i TIFF, ky çmim shkon për Jamil Dehlavi, Mbretëria e Bashkuar” – Yoram Kahana, kryetar i Shoqatës së Shtypit të Shkruar të Hollywood-it.
“Seven lucky gods” është filmi fitues i edicionit të 11 të “Tirana International Film Festival”.
Në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve, të pranishëm artistë shqiptarë e të huaj, kryeministri Rama, kryebashkiaku Basha, ministrja e Kulturës Kumbaro dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
Regjisori më i mirë u shpall greku Thanos Anastopoulos, me filmin “The daughter”. Skenari më i mirë shkoi për filmin “The kids from the port”, prodhim spanjoll. Çmimi për montazhin më të mirë mbante emrin e Luc Barnier, montazhierit francez të ndarë nga jeta një vit më parë. Ai u shpall nga kryeministri Rama dhe shkoi për filmin “Humus”, të francezit Frederic Labonde.
“Ishte një njeri, që dha gjithçka mundi të jepte nga zemra e vet, për të gjithë fëmijët shqiptarë që njohu dhe që nuk mori asgjë në këmbim përvec miqësisë, në emër të së cilës besoj jepet ky çmim, por nga ana tjetër, me siguri për një prej tyre, që në sallën e errët të montazhit, në historinë e kinemasë franceze, kanë lënë sot emrin e tyre. Me këtë rast dua që t’i falënderoj edhe Ilirin e Agronin, edhe pse Luc-un e kishim mik të përbashkët, por t’i shpreh të gjithë admirimin tim për rritjen e këtij festivali. E kemi nisur bashkë dhe sot mund të thuhen me plot kuptim fjalët, që Luc-u kishte shumë qejf që t’i përsëriste: Rruga është e gjatë, zemrën peshë”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Me çmimin e karrierës u vlerësua njëri prej pionierëve të kinematografisë shqiptare, Endri Keko.
Në kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër, çmimi i filmit të shkurtër shqiptar shkoi për “Unë, deti, dhe…”, i regjisorit Lulzim Sula.
Filmi më i mirë i shkurtër “Fiction”: “Damn girl”, prodhim danez.
Ishin rreth 1200, titujt e filmave që aplikuan këtë vit në TIFF, nga 91 vende të ndryshme. Një falënderim për të gjithë pjesëmarrësit u bë edhe nga kryebashkiaku Basha, i cili theksoi edhe rëndësinë e festivalit.
“Ky festival po e rrit vit pas viti Tiranën në sytë e komunitetit të madh artistik dhe intelektual të botës, si një qendër e rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare kulture, si një destinacion i denjë i kërkimit dhe krijimit artistik, si një vend me talente që përtërihen vazhdimisht dhe me një publik artdashës të kultivuar. Vet festivali është sot një kartëvizitë e Tiranës, qytet i hapur, pikë tjetër referimi e asaj që Shqipëria është dhe dëshiron të jetë: një vend europian”, tha Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Top Channel