Ligue 1, gati bojkoti në Francë për “super taksën”

01/11/2013 04:00

Përfaqësues të klubeve të futbollit francez nuk kanë arritur sukses në përpjekjen e tyre për të bindur presidentin e Francës për të tërhequr planet e vendosjes së një “super takse” mbi pagat e lojtarëve.

Francois Hollande u tha pronarëve të klubeve të futbollit, gjatë së enjtes, se nuk ka ndërmend të tërhiqet apo t’i përjashtojë ata nga taksa prej 75% mbi pagat që kalojnë shumën e 1 milion eurove në vit, pavarësisht kërcënimeve për një greve të mundshme gjatë këtij muaji.

“Nevoja për të pastruar financat publike justifikon tërësisht përpjekjet e kërkuara prej bizneseve, të cilat zgjedhin të paguajnë paga kaq të larta vjetore”, tha Hollande në një deklaratë, pas takimit me shefat ekzekutivë të klubeve.

Pas takimit në pallatin “Elysee” në Paris, kreu i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, tha se Hollande ishte “i papërkulur” ndaj kërkesave të tyre.

“Ai tha se, duke qenë se teksti është votuar nga ligjvënësit, ai nuk mund të korigjohet. Por, ai i dëgjoi kërkesat tona dhe kjo është shumë e rëndësishme. Asnjëherë nuk mund ta dimë se çfarë do të ofrojë e ardhmja, por sot ai ishte i palëkundur dhe vendosi që taksa të aplikohet”, tha Le Graet.

Pas kësaj lëvizjeje, klubet profesioniste të futbollit francez kanë vendosur të shtyjnë ndeshjet mes 29 nëntorit dhe 2 dhjetorit në shenjë proteste. Hera e fundit që ndeshjet e futbollit janë bojkotuar në ligën franceze ka qenë në vitin 1972, por ai bojkot ishte iniciativë e lojtarëve.

Top Channel