Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka përfunduar analizat për praninë e pesticidit ‘spiroksaminë’ në mostrat e kastravecëve të kompanisë së cilës iu bllokua produkti nga Mali i Zi.
Nga këto analiza rezulton se në kastravecët e marrë në serat e kësaj kompanie ka gjurmë të pesticidit në nivele të pranueshme.
Por kjo sasi është poshtë nivelit maksimal të lejuar nga Bashkimi Evropian, prej 0.05 miligram për kg, çka do të thotë se nuk përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Ministria e Bujqësisë thekson se vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe e kanë të përcaktuar në mënyrë fikse nivelin e spiroksaminës, që duhet të jetë në masën 0.1 miligram për kg.
Pas bllokimit që iu bë produktit shqiptar në pikën kufitare të Hanit të Hotit nga shteti fqinj, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti kërkoi që një gjë e tillë të mos shërbejë si luftë tregtare mes vendeve.
Rast i ngjashëm ishte edhe ai me një dërgesë qumështesh që u bllokua nga Kosova, me pretendimin se përmbanin aflatoksinë mbi normat e lejuara nga Bashkimi Evropian.
Top Channel