Akademikët shqiptarë, letër Samaras

01/11/2013 00:00

“Qeveria greke të mos pengojë, por të mbështesë dhënien e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Ky është apeli i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, e cila përmes një letre të hapur i drejtohet kryeministrit grek Andonis Samaras, si një përgjigje për atë që u paraqit pak ditë më parë nga 23 ish-ambasadorët grekë.

Ish-diplomatët grekë, pjesë e grupit “Cikli Diplomatik”, në letrën e tyre shkruanin se: “Shqipëria është një vend i krijuar nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913 dhe deri tani nuk ka treguar një qëndrim miqësor ndaj Athinës, duke u bërë një shtet problematik për Greqinë që nga formimi i saj”.

Anëtarët e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, ku bëjnë pjesë ish-ambasadorë dhe diplomatë elitarë shqiptarë, të cilët kanë shërbyer në vende dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare, e quajnë këtë letër denigruese, duke refuzuar – siç shkruajnë ata – pretendimet, gjuhën e përdorur dhe mënyrat e vjetra të të menduarit për hir të marrëdhënieve më të mira mes dy popujve dhe qeverive të dy vendeve.

Në letër ata flasin për udhëkryqin më të rëndësishëm të vendeve të Ballkanit. “Në këtë fillimshekulli ne duhet të bëhemi të gjithë së bashku dhe të shkruajmë bashkarisht kapitullin që do të mbyllë një histori mijëravjeçare të përgjakshme në Ballkan, për të nisur një epokë që vendet tona nuk kanë njohur kurrë më parë”, lexohet në letrën e akademikëve.

Për ish-ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë, shpresa më e mirë është të pushojë pretendimi për territore shqiptare në atë rajon, që siç shkruajnë ata quhet ende prej saj “Epiri i Veriut”.

“Zgjidhja përfundimtare e disa prej problemeve të vështira në Ballkan ka të bëjë me: anulimin e gjendjes së luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë; njohjen zyrtare të kufijve shtetërorë të Shqipërisë të përcaktuar nga Konferenca e Londrës 1913; njohja e të drejtave pronësore të popullsisë çame, të cilën ish-ambasadorët grekë në mënyrë të shëmtuar e konsiderojnë një popullsi myslimane që duhej të dëbohej në Turqi; njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran; zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me emrin zyrtar të Republikës së Maqedonisë”, nënvizohet në letër.

Ish-ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë shkruajnë se është e vështirë të mendojnë se Athina, që do të marrë presidencën e BE-së në janar të 2014, mund t’i krijojë probleme serioze kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat të BE-së dhe se mund ta frustrojë këtë proces apo ta kundërshtojë atë.

“Në vend që t’u vërë veshin retorikës nacionaliste ose demagogjisë politike të një numri diplomatësh në pension, ne presim që Athina ta mbështesë pa rezerva integrimin e Shqipërisë në BE, sepse ky është i vetmi opsion i arsyeshëm, si për Shqipërinë, ashtu dhe për Greqinë”, vijon letra.

Letra përfundon me besimin se, “barra historike e së kaluarës nuk është më e rëndë se shpresat për të ardhmen” dhe se, “përpara popujve tanë qëndron një e ardhme e shkëlqyer e cila nuk duhet kompromentuar”.

Top Channel